Radio numër një në Kosovë, Radio Dukagjini ka marrë një vendim të paprecedent në mediat kosovare.
Drejtoresha e Radio Dukagjinit, Edita Doli ka njoftuar se punonjësit e radios nga e premtja e ardhshme do të punojnë me orar të shkurtuar.
Këshilltarja e radios Sebiha Ramaxhiku përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se nuk është e lehtë të imagjinoni dhe jetësoni diçka që nuk ekziston ende, diçka që është e re, të jesh i pari që mbështet ndryshimin, të investosh burime dhe kohë, të mbështesësh novatorin.
“Kjo është arsyeja pse roli i një lideri inovativ është edhe më i rëndësishëm. Nuk mjafton që vetëm të punoni mirë, është mirë që puna e mirë të mbetet dhe të jetoj gjatë. Radio Dukagjini ka dëshmuar se punon mirë, duke mbajtur primatin, jo me vjet, por me dekada. Dhe, nuk ndalet!”, ka shkruar ajo.
Ramaxhiku tutje ka thënë se “Jemi të parët edhe në jetësimin e risive. Kësaj radhe do të jemi të parët në fushën e mediave, por edhe me gjërë. Të premteve, puntorët e Radio Dukagjinit do të punojnë me orat të shkurtuar. Të gjithë, pa përjashtim!”, ka shkruar puntorja shumë vjeçare e Radio Dukagjinit.
Ramaxhiku ka shtruar edhe një pyetje se “A është ky paralajmërim edhe për shkurtimin e ditëve të punës?”.
“Mbetet të shihet. Tash, TEST,TEST, TEST… Do t’ia dalim, si gjithmonë. Na priftë e mbara! Edita Doli bravo për guximin!”, ka shkruar Ramaxhiku në Facebook.