Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka realizuar këtë të diel operacionin e koduar “Kalaja”, gjatë të cilit janë arrestuar dy persona të dyshuar, shtetas të Kosovës.
Operacioni, i zhvilluar në një qendër tregtare në rrugën magjistrale Pejë-Deçan, ka zbuluar rreth 100 kilogram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila u gjet në fshatin Raushiq.
Sasia përfshin bimë të kultivuara në oborrin e një ferme, me gjithsej 213 bimë.
“Pas kryerjes së arrestimeve është vazhduar me bastisje dhe deri në këtë fazë në fshatin Raushiq të Pejës janë gjetur rreth 100 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, sasi kjo në gjendje të ndryshme, disa prej tyre e gatshme dhe tjerat në formë të bimëve duke u terur e cila është sekuestruar. Bimët kanë qenë të kultivuara në oborrin e një fermë në afërsi të një shtëpie në fshatin Raushiq dhe sasia e tyre është 213 bimë”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia vazhdoi me kontroll dhe bastisje edhe në fshatin Barilevë të Prishtinës, ku u gjet një sasi e vogël tjetër e substancës narkotike.
Po ashtu, janë sekuestruar katër vetura të dyshuara si mjete të veprës penale.
Prokurori kompetent dhe forenzika e PK-së janë në vendin e ngjarjes për procedura të mëtejshme, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga njësitet e antidrogës dhe Prokuroria Themelore në Pejë.