Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për marrëveshjen Kosovë-Serbi për energjinë, ka thënë se zbatimi i saj është një hap kyç për të vazhduar përpara.
Përmes një postimi në Twitter, e para e vendit, ka shkruar se Kosova gjithmonë është treguar konstruktive dhe e angazhuar në procesin e dialogut me Serbinë.
Progress made today in the Kosovo-Serbia dialogue through reaching an agreement on the energy roadmap is of crucial importance.
As ever, Kosovo has shown to be constructive & actively engaged in this process.
Now implementation is the key step forward!
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) June 21, 2022
“Progresi i arritur sot në dialogun Kosovë-Serbi, përmes arritjes së marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë është i një rëndësie vendimtare”, ka thënë ajo.
“Si gjithmonë, Kosova ka treguar të jetë konstruktive dhe e angazhuar në mënyrë aktive në këtë proces. Tani zbatimi është hapi kyç përpara!”, ka shtuar Osmani.
Për këtë marrëveshje, ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA) në Kosovë, e cila ka kërkuar nga të dyja vendet që të vazhdojnë angazhimin urgjent në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian(BE).
“ShBA u kërkon të dyja vendeve që të vazhdojnë të ndërtojnë këtë sukses përmes angazhimit urgjent dhe të hapur në dialogun e lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Për këtë marrëveshje ka reaguar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ai e ka cilësuar këtë marrëveshje, si hap konkret drejt zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. Ai ka bërë të ditur se ka kontaktuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për t’ia uruar arritjen e marrëveshjes.
“Fola me Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurtin për t’i uruar ata për arritjen e një marrëveshjeje mbi udhërrëfyesin e energjisë sot. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë në hapat e ardhshëm”, ka shkruar ai në Twitter.
Të martën e 21 qershorit, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për energjinë. Këtë e ka bëtë të ditur, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajcak.
“Me kënaqësi ju njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Zëvendëskryeministri i parë dhe kryenegociatori, Besnik Bislimi, ka thënë se kjo e arritur në Bruksel, do të mundësojë faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të vendit.
“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi në Twitter.