Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka dhuruar gjak së bashku me shokun e tij të burgut, Sylejman Bejta, i cili kishte qenë po ashtu i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit të tij, kjo iniciativë vjen në kuadër të përvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, i cili njihet për përkushtimin e tij ndaj solidaritetit dhe ndihmës për të tjerët.
“Si student i shkëlqyeshëm i mjekësisë dhe aktivist punëtor e patriot, Astrit Dehari organizonte aktivitete të rëndësishme si dhurimi i gjakut, duke u bërë shembull i solidaritetit dhe përkushtimit ndaj të tjerëve. Në ndjekje të kësaj fryme, çdo vit në përvjetorin e Astritit, në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, organizohet dhurimi vullnetar i gjakut. Përherë marr pjesë, sepse është nder të kujtojmë vlerat që Astriti mbështeste, duke inspiruar breza të rinj për të ndihmuar të tjerët. Dhurimi i gjakut është një akt jetik që forcon komunitetin, shpëton jetë, dhe na kujton se veprimet tona të mira mund të lënë gjurmë të rëndësishme në shoqëri,” shprehet Kurti në një postim në Instagram.
Gjithashtu, këtë të martë, Kurti dhe anëtarë të tjerë të VV-së të martën bënë homazhe te varri i Deharit.
Kurti ka thënë se Prokuroria e shtetit e ka mbështetjen e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e rastit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.