Shukri Buja gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se Kadri Veseli kur ishte në pozitën e shefit të Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ) dhe nuk i ka dhënë urdhra atij ose personit përgjegjës për këtë sektor në Zonën Operative të Nerodimes.
“Jo s’më ka dhanë urdhër”, tha Buja, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.
Po ashtu, për Ilmi Reçicën tha se ka qenë në kuadër të komandës së Nerodimes dhe s’ka pasur se si të marrë urdhra nga Veseli.
“Jo se zoti Reçica ka qenë në kuadër të Komandës së Zonës Operative të Nerodimes”, tha Buja.
Përpara kësaj, Buja tha se Reçicën në këtë pozitë e kishte emëruar vetë ai.
“Përafërsisht në dhjetor (është emëruar) emërimi ka qenë nga unë”, tha Buja.
Buja tha se qëndron fakti se ai e ka thirrë në telefon Reçicën për ta njoftuar se është emëruar në këtë pozitë pasi që ai ishte jashtë vendit, konkretisht në Shqipëri.
“Jo s’e ka emëruar”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a është e vërtetë që Reçicën askush nga Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka emëruar në këtë pozitë.
Dëshmitari tha se Veseli nuk ka pasur mundësi që ta emërojë Reçicën në këtë pozitë.
“S’ka pas mundësi Kadri Veseli me emëru sepse unë kam qenë komandant i zonës”, tha ai.
Përpara Reçicës, Buja tha se askush nuk ka qenë në një pozitë të tillë për shkak se në periudhën tetor-nëntor ka filluar konsolidimi i komandës operative të Nerodimes.
Ai tha se Reçica e mori detyrën në janar të ’99-ës dhe se kishte shumë pak burime për ta ushtruar atë detyrë dhe se për tre muaj vetëm ai ka qenë në atë sektor.
Dëshmitari u pyet se a ia raportonte Reçica atij informacionet që mblidhte gjatë ushtrimit të detyrës.
“Në një periudhë më të vonë, po. Mund të jetë pas shkurtit sepse në atë kohë është konsolidu më mirë sektori i Zbulim-Kundërzbulimit”, tha Buja.
Buja tha se shumica e raportimeve ishin gojarisht por që ka pas raste kur ka raportuar edhe me shkrim në rast që ka pas lëvizje të mëdha të forcave serbe.
Ai tha se Reçica i raportonte ndonjëherë Shefit të Shtabit dhe komandantit të zonës, ndërsa Shtabit të Përgjithshëm nuk i kanë përcjell raporte.
“Nuk ka qenë detyrë e tij me raportu në Shtab të Përgjithshëm”, tha Buja kur u pyet se a ka pasur rast që Reçica ka anashkaluar atë dhe personat përgjegjës për zonën dhe ka raportuar drejtpërdrejtë në Shtabin e Përgjithshëm.
Buja: Krasniqi ka qenë zëdhënës, s’ka pasur të bëjë me detyra operative
Shukri Buja ka deklaruar të enjten në Hagë që Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe është marrë me detyra operative.
“Ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe detyrat operative nuk kanë kuptim”, tha Buja, i cili po dëshmon për të tretën ditë me radhë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Një gjë të tillë, Buja e kishte thënë edhe në gjykimin ndaj Fatmir Limajt në vitin 2005 dhe se këtë përgjigje ai e dha gjatë kundërpyetjeve të avokates së Krasniqit, Shyamala Alagendra.
Buja tha se emërimin e Krasniqit si zëdhënës e ka pritur me padurim për shkak të personalitetit të tij.
“Jakup Krasniqin në emërimin si zëdhënës i UÇK-së e kam prit me padurim sepse ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Një njeri që ka pasur vizion politik të jashtëzakonshëm dhe ka qenë një njeri që është pritur në mënyrë jashtëzakonisht të mirë nga popullata civile”, tha Buja, duke shtuar se Krasniqin e ka takuar rreth qershorit 1998.
Nga dalja publike si zëdhënës i UÇK-së, Buja tha se u kuptua që Krasniqi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Tha se detyra operative në UÇK gjatë verës kanë pasur Azem Syla si komandant i Përgjithshëm dhe Sokol Bashota si zëvendës i tij.
Ndërsa, në korrik të ’98-ës, sipas tij, Bislim Zyrapi ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm e që edhe kjo ishte një detyrë operative.
Në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon, dëshmitari tha se e kishte kuptuar që Veseli në periudhën maj-qershor ka qenë ministër i Shërbimit Informativ të Kosovës.
“Në muajin maj ka dalë informacioni për ministrat në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”, tha Buja.
Buja tha se nuk ishte përgjegjësi e Ilmi Reçicës për t’i zbatuar rregullat disiplinore dhe nuk kishte të bënte me asnjë lloj hetimi sa i takon çështjeve disiplinore.
“Nuk ka qenë detyrë e Zbulim-Kundërzbulimit. Ka qenë detyrë e Policisë Ushtarake dhe e komandantit të brigadës”, tha Buja.
Ai pohoi se ZKZ-ja dhe Policia Ushtarake nuk kishin të bëjnë me njëri-tjetrin pasi ishin të ndara nga funksionimi. /Betimi për Drejtësi