Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, ka realizuar një vizitë në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, dhe Drejtori i Qendrës, Ylber Topalli.
Siç thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues, gjatë takimit, Dibrani e informoi ambasadorin për aktivitetet dhe rutinat e përditshme të të burgosurve, duke theksuar përpjekjet për risocializimin dhe rehabilitimin e tyre.
Ambasadori Hargreaves e vlerësoi punën e palodhur të stafit dhe arritjet në fushën e korrektimit, duke shprehur mbështetje të vazhdueshme nga Britania e Madhe për përmirësimin e sistemit korrektues në Kosovë.
Në fund të vizitës, si shenjë falënderimi, Dibrani dhe Topalli i dhuruan ambasadorit Hargreaves punime filigrani, të realizuara nga të burgosurat e Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan.