Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur detajet e para lidhur me një incident të rëndë që ka ndodhur sot në qytetin e Gjilanit, ku një person është gjetur pa shenja jete. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”.
Gjendet i vdekur një 37-vjeçar në Gjilan, dyshohet se u qëllua me armë zjarri
Në njoftimin, Prokuroria ka sqaruar se prokurori kujdestar dhe ekipet tjera relevante kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga hetimet e para dyshohet se viktima është qëlluar me armë zjarri. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të vdekjes.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, ju njofton se gjatë ditës së sotme, më datë 7 nëntor 2024, në rrugën ‘’Mërgimtarët e Gjilanit’’, në Gjilan, rreth orës 14h, një person është gjetur pa shenja jete.
Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda dhe njësitet tjera relevante menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga hetimet e para dyshohet se viktima është qëlluar me armë zjarri dhe me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në koordinim me Policinë e Kosovës – Njësinë e Hetimeve Rajonale në Gjilan, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, në mënyrë që të identifikohen personat e dyshuar.
Për të gjitha veprimet e tjera do të jeni të njoftuar me kohë!”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sipas burimeve jo zyrtare të Dukagjinit, viktima me inicialet S., O., ka qenë ish i burgosur në Shqipëri, teksa dyshimet e para janë që vrasja ka ndodhur si pasojë e “qerimeve të hesapeve” me një grup tjetër. Te dyshuarit janë larguar me biçikleta.