Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Nerodimës, Shukri Buja, ka njoftuar se është liruar nga të gjitha akuzat që ishin ngritur ndaj tij nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Në një postim në Facebook, Buja ka thënë se ky është një hap i madh drejt vërtetimit të pafajësisë së tij dhe pastrimit të imazhit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se pas një procesi të gjatë hetimor që zgjati mbi pesë vjet prej 2019, më në fund jam liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë!
Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time por edhe pastertinë dhe lavdine e UÇK-së.
Falë avokatëve të mi, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, dhe insistimit të tyre për të mbyllur hetimet për mungesë provash, këtë javë mora konfirmimin zyrtar që gjithçka është mbyllur përfundimisht.
Ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në menyrë zyrtare”, ka shkruar Buja.
Në përfundim të postimit, Buja shprehu falënderimet për familjen e tij dhe qytetarët e Kosovës për mbështetjen e paçmuar gjatë gjithë këtij procesi. Ai u shpreh optimist se ky rast do të shërbejë si shembull që drejtësia të thotë fjalën e fundit për të gjithë ata që akuzohen padrejtësisht.
“Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejtë.
Lufta jonë, si popull, ka qenë një përpjekje e drejtë dhe legjitime për liri kundër okupatorit serbo-jugosllav, të cilët kanë kryer krime të rënda ndaj popullit tonë. Lufta jonë çlirimtare ishte e imponueshme dhe e drejtë.
Ky realitet u vërtetua nga rasti im dhe shpresoj se do të vërtetohet gjithashtu edhe nga rasti i bashkëluftëtarëve tanë që po përballen ende me proceset në Hagë.
Një falënderim i veçantë shkon për familjen time për mbështetje të palëkundur gjatë këtyre viteve, për qytetarët e Republikës së Kosovës që më mbështetën dhe më besuan, si dhe për avokatët e mi për angazhimin dhe kontributin e tyre të pandërprerë deri në epilogun e këtij rasti”, ka përfunduar Buja.