Kuvendi miraton në lexim të parë buxhetin për vitin 2025

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025

Me 59 pro, 0 kundër dhe 2 abstenim është votuar projektligjin për ndarje buxhetore për vitin 2025.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicë votash në lexim të parë buxhetin për vitin 2025, i cili është në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh.

Opozita ka kritikuar këtë buxhet dhe nuk e ka votuar.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti derisa ka bërë thirrje për deputetët të votojnë pro projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin për vitin 2025, ka thënë se me këtë buxhet familja shihet si tërësi dhe njësi, ndërsa përfitime do të kenë edhe bizneset dhe ekonomia. 

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare që po mbahet me vetëm një pikë në rend dite, Kurti ka thënë se me këtë buxhet prioritet është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. 

“Me këtë buxhet, të nderuar deputetë, përfitojnë edhe bizneset edhe ekonomia. Së pari përfitojnë nga rritja e fuqisë blerëse të familjes. Nga 12 miliardë euro sa ishte para qeverisë tonë për vitin 2024 pritet të kalojë 24 miliardë qarkullim. Ky buxhet parasheh mbështetje të buxheteve edhe për qasje në financa. Kjo mbështetje vjen si vijim i mbështetjes së realizuar gjatë viteve që lamë pas. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme pritet të vijë nga konsumi. Konsumi do të rritet nga rritja e pensioneve, rritja e shtesave të fëmijëve jo çfarëdo rritje, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit, si dhe rritja e pagës minimale që ndodh pas më shumë se një dekadë stagnimi. Me këtë buxhet e kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ju ftoj edhe ta votoni buxhetin 2025”, ka thënë ai. 

Ai tutje ka lavdëruar punën përgjatë qeverisjes së tij 4-vjeçare, duke thënë se ka pasur rritje në mënyrë konsistente në numrin e të punësuarve. 

“Për katër vjet numri i të punësuarve është rritur në mënyrë konsistente, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë qeveri më herët. 78 mijë vende pune po arrin më shumë se sa kur e kemi marrë mandatin në pranverën e 2021-s. Në qeverisjet e kaluara, qoftë edhe kriza më e vogël e jashtme e ngadalësonte rritjen ekonomike. Të hyrat buxhetore kanë vazhduar performancën e tyre tejet të kënaqshme, kanë shënuar rritje të konsiderueshme”, ka thënë ai. 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se prioritete të rëndësishme pritet të jën autostradat Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan dhe Prizren-Tetovë.

Ai ka thënë se 100 milionë euro janë paraparë për barna esenciale, 145 milionë euro për fëmijë dhe lehona, 100 milionë për kulturë e sport.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për Buxhetin e vitit 2025, duke e quajtur atë një planifikim të dështuar që nuk sjell përfitime për qytetarët.

“Fjalimet populiste nuk po i ngopin qytetarët dhe nuk po e parandalojnë migrimin”, ka deklaruar Lushtaku, duke theksuar se Qeveria Kurti ndryshon qëndrim për paga varësisht nga interesat zgjedhore.

“Vitin e kaluar thoshte që s’mundemi me i rritë pagat, ndërsa këtë vit i rrit për zgjedhje, duke ia vënë çmimin votës”, është shprehur ai.

Sipas tij, buxheti i propozuar nuk ka ndonjë vizion zhvillimor dhe, për këtë arsye, PDK-ja ka vendosur të mos e mbështesë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2025, duke thënë se ai përmban mangësi të shumta dhe duhet të konsiderohet një dokument i përkohshëm.

Në fjalën e tij para deputetëve, Hoti tha se ka pritshmëri për ndryshime të qeverisë pas zgjedhjeve të shkurtit, që sipas tij do të sjellin edhe rishikime të buxhetit aktual.

“Sot po e diskutojmë dokumentin më të rëndësishëm qeverisës. Besoj që këtë duhet ta shqyrtojmë si një dokument të përkohshëm, pasi që është e sigurt që qeveria e ardhshme do ta ndryshoj. Dhe nuk kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme. Gjithmonë ë fund të mandatit qeverisës, kur përgatitet një buxhet që shkon përtej mandatit të qeverisës aktuale është natyrës së përkohshme. Besoj që analiza e këtij dokumenti duhet të bëhet në kontekst të premtimeve gjatë mandatit katër vjetar, jo vetëm si shifër”, ka thënë Hoti.  
Sipas Hotit, se fusha të rëndësishme, si shëndetësia dhe infrastruktura shëndetësore, janë të lëna pas dore.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke e cilësuar atë si “qeverinë më të dështuar në Kosovë”.

Tahiri deklaroi se, gjatë mandatit katërvjeçar, kjo qeveri ka pasur në dispozicion një buxhet prej 12 miliardë eurosh, por nuk ka realizuar projekte të rëndësishme që do të mbaheshin mend nga qytetarët.

“Qeveria për katër vite ka pasur 12 miliard euro buxhet, në këto 12 miliard euro a ka ndonjë projekt që është nisur dhe është përfunduar, përveç urës së Saradranit. Është ky kabinet qe ka dhënë premtim që do t’i rris pensionet, sa i ka rritur 20 euro. Po është rrit ekonomia, 240 milioneuro ja keni dhënë dostave të juaj përmes tenderëve një burimor”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës ka si synim të ulë importin, por theksoi se ky proces do të kërkojë kohë për t’u realizuar, duke pasur parasysh “gjendjen e trashëguar ekonomike”.

Ai ka theksuar se gjatë qeverisjeve të kaluara, shumë fabrika riprodhuese janë shitur për hekur, duke krijuar një pengesë të madhe për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese vendore.

Murati ka theksuar se janë ndërmarrë disa masa për të mbështetur prodhuesit vendorë, duke përfshirë subvencionimin e kredive investuese dhe mbështetje për certifikim dhe pjesëmarrje në panaire.

Ministri gjithashtu gjatë seancës plenare të kuvendit, ka deklaruar se diçka që është shkatërruar brenda 20 vjetëve, nuk mund të ndreqet për një mandat.

“A është synim i qeverisë të ulet importi? Patjetër që po. Kemi bërë mbështetje, masa përmes ministrive duke mbështetur në certifikim e pjesëmarrje në panaire. Nuk mund të ulet importi në një ekonomi të trashëguar ku të gjitha fabrikat i keni shitur për skrap. Merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti. Deri atëherë, do të vazhdojmë të punojmë. Diçka që është shkatërruar për 20 vite, nuk mund të rregullohet brenda një mandati”, ka deklaruar Murati.

Ai ka potencuar se ka pasur dyfishim të eksportit gjatë këtij mandati.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika