Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, u zotua se më 2025 do të aneksohen vendbanimet izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, duke e cilësuar rikthimin në pushtet në Shtetet e Bashkuara të Donald Trumpit si “mundësi e rëndësishme”.
“Viti 2025, me ndihmën e Zotit, do të jetë vit i sovranitetit në Judea dhe Samaria”, tha ministri i ekstremit të djathtë, duke përdorur emrat biblik për Bregun Perëndimor.
Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor më 1967 dhe ka ndërtuar vendbanime për të çimentuar kontrollin e zonës. Por, Izraeli nuk e ka aneksuar asnjëherë këtë territor. Palestinezët pretendojnë se territori është pjesë e shtetit të tyre të ardhshëm dhe vazhdimisht kanë paralajmëruar se vendbanimet izraelite atje janë pengesë për paqen.
Smotrich, i cili përveç financave mbulon edhe disa pjesë të punës së Ministrisë së Mbrojtjes, tha se ka urdhëruar që të nisin përgatitjet për “vendosjen e sovranitetit” mbi vendbanimet izraelite.
Duke folur në një seancë të Parlamentit më 11 nëntor, ai tha se “kam instruktuar drejtorin e çështjeve të vendbanimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Administratën Civile…. për të përgatitur infrastrukturën e nevojshme për vendosjen e sovranitetit”.
Smotrich po ashtu uroi presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, për fitoren në zgjedhjet presidenciale, fitore, që sipas tij, “sjell po ashtu një mundësi të rëndësishme për shtetin e Izraelit”.
“Gjatë mandatit të parë, Trump udhëhoqi lëvizje dramatike”, tha Smotrich.
Në mesin e tyre ishte edhe njohja e sovranitetit të Izraelit mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit, zhvendosja e Ambasadës amerikane në Jerusalem dhe ndërmjetësimi i marrëveshjeve për normalizim raportesh mes Izraelit dhe disa shteteve arabe.
Para marrëveshjeve për normalizim, që njihen si Akordet e Abrahamit, Qeveria izraelite kishte thënë se do të aneksonte pjesë të mëdha të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, por hoqi dorë nga ky plan pasi u arritën marrëveshjet.
“Ne jemi në prag të vendosjes së sovranitetit mbi vendbanimet në Judea dhe Samaria. Tani është koha që të bëhet kjo”, tha ai.
Ai po ashtu tha se do ta shtyjë Qeverinë që të punojë së bashku me administratën e re amerikane për këtë çështje.
Më herët gjatë së hënës, ministri i ri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se shtetësia palestineze nuk është diçka “realiste”, pasi presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmmud Abbas, përsëriti kërkesën për një shtet “të pavarur”.
Duke përjashtuar Jerusalemin Lindor, në Bregun Perëndimor jetojnë 3 milionë palestinezë së bashku me afër 500.000 izraelitë që jetojnë në vendbanime, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar./Radio Evropa e Lirë