I dërguari special i Qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga hapat e domosdoshëm që duhet të vijojë.
Në një intervistë për DW, Sarrazin teksa ka thënë se Kosovën duhet ta shpërblejnë për reforma, nuk ka lënë pa përmendur edhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, për të cilin ka theksuar se duhet të rifillojë sa më parë.
“Premtimi për zgjerim i bërë në Samitin e Selanikut të vitit 2003 vlen ende. Për Bosnjë-Hercegovinën mbeten të plotësohen 14 prioritetet thelbësore dhe të zbatohen reformat, në mënyrë që t’i jepet statusi i kandidatit. Në Kosovë, Qeveria është duke bërë reforma dhe ne duam t’i shpërblejmë. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një nga ato hapa të domosdoshëm që duhet të vijojë. Por edhe dialogu i normalizimit me Serbinë duhet të rifillojë dhe të dyja palët duhet të jenë të gatshme për progres”, është shprehur ai.
Ndërkaq, Sarrazin ka potencuar se duhet t’i bëhet e qartë Serbisë që t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë.
Sipas tij, masa më e rëndësishme që edhe Serbia të largohet nga ndikimi rus është që të ketë besim në premtimin për zgjerim të BE-së.
“Prandaj është kaq e rëndësishme që më në fund t’i korrigjojmë këto gabime që kemi bërë me politikat e zgjerimit, liberalizimin e vizave dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të tregojmë se kur bën progres, Evropa i mban premtimet”, ka thënë Sarrazin.
Sa i përket iniciativës rajonale në Ballkanin Perëndimor, “Open Balkan”, Sarrazin është shprehur skeptik.
Ai ka thënë se nismat e tilla fillimisht duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të ofrojnë mundësi reale për t’u përfshirë në to.
Në anën tjetër, ai vlerëson se është e rëndësishme që të mos hapen struktura paralele.
“Përveç kësaj, duhet të jetë gjithmonë e qartë se në asnjë mënyrë ato nuk e zëvendësojnë anëtarësimin në BE”, ka thënë ai duke shtuar se Procesi i Berlinit ka qenë “gjithmonë një format tërheqës” e se Gjermania është e vendosur të përkujdeset në mënyrë intensive për të gjithë rajonin e Ballkanit.
Manuel Sarrazin, ka qenë deputet i Bundestagut për Bündnis 90/Die Grünen nga viti 2008 deri në vitin 2021 dhe është President i Shoqërisë së Evropës Juglindore, institucioni më i rëndësishëm i konsultimit akademik dhe politik për çështjet e Ballkanit në Gjermani.
Që nga një marsi 2022, ai është përfaqësuesi special i Qeverisë Federale Gjermane për Ballkanin Perëndimor.