Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka miratuar tarifat e reja të konsumit për Termokosin për sezonin e ngrohjes 2024-2025, duke lënë kështu çmimin e njëjtë sikurse të vitit të kaluar.
Sipas vendimit të ZRrE, çmimi për konsumatorët shtëpiak do të jetë 0.76 cent për kilovatë orë, ndërsa për konsumatorët komercial do të jetë 0.95 cent për kilovatë orë.
Astrit Saraqini, udhëheqës i Departamentit për Energji Temike dhe Gaz në ZRrE tha se edhe këtë vit do të jenë dy lloje të tarifave, ato me matje të konsumit dhe ato me sipërfaqe të konsumit, çmimi për të cilat janë të njëjta.
“Ne i kemi dy lloje të tarifave. Tarifat me matje të cilat aplikohen tek të gjithë konsumatorët të cilët kanë paisje matëse, ku mund të implementohet matja e konsumit. Dhe pjesa tjetër janë tarifat pa matje, të cilat janë sipas sipërfaqes ngrohëse. Të hyrat shërbejnë si bazë për caktimin e tarifave. Këtë sezonë ka qenë karakteristikë ka qenë vështirësi shtesë për ne, për shkak të fillimit të matjes së konsumit nëpër ndërtesa kolektive me paisje matëse të cilat vendosen në radiator dhe me matës individualë ta quajmë të ngrohjes, të cilët vendosen tek ndërtesat me rrjet horizontal të brendshëm” – ka thënë Saraqini në mbledhjen e ZRrE-së.
Ndërsa kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Imer Fejzullahu, ka thënë se për këtë vit është me rëndësi është do të fillojë faturimi me matje, edhe pse jo për të gjithë konsumatorët.
“Ndër pikat në rendësi që është diskutuar është edhe përcaktimi i çmimit maksimal për 75 MË, kapacitet me energji nga turbinat e erës e cila pritet të organizohet ankandi nga ana e ministrisë. ZRRE ka përcaktuar çmimin maksimal apo çmimin që do të paguajnë konsumatorët që janë të gatshëm ta paguajnë në tarifat të energjisë elektrike, nëse kemi ofertues të përgjegjshëm, ku është përcaktuar të jetë 80.2 euro për megavat”, tha Fejzullahu
ZRRE po ashtu në këtë mbledhje shqyrtoi edhe rivlerësimin e Sasisë së kapaciteteve transmetuese ndërkufitare Shqipëri-Kosove për procesin e Bashkimit të Tregjeve, ku u miratuan kapacitetet mes dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë në vlerë prej 50 megavatë./eo