“Me Mustafën kam biseduar vetëm për furnizim të civilëve me armë e barna”

Jakup Ismaili, dëshmitari i tretë i mbrojtjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, teksa ka deklaruar para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë se me të akuzuarin kanë biseduar rreth planeve për të furnizuar me ndihma humanitare civilët shqiptarë.

Ai ka treguar se takimi i parë i tij me Mustafën kishte ndodhur në fund të muajit mars.

“Kemi pasur biseda vetëm për plane strategjike, si të veprojmë dhe si të hyjmë në Prishtinë që ta furnizojmë popullatën civile me armatim, me barna dhe furnizime të tjera”, ka thënë ai.

“Takimi i parë me Mustafën ka ndodhur në Butovc. Unë personalisht aty nuk kam pasur kontakt direkt personal, por udhëzimet për të shkuar te Këshilli i Emergjencës dhe ku janë të vendosur personat Këshillit të Emergjencës të Mustafë Sopi në Butovc janë marrë nga Salih Mustafa”, ka thënë dëshmitari.

Ismaili ka thënë se, forcat ushtarake policore paramilitare e kanë bërë dëbimin e popullatës dhe për shkak të represionit dhe dhunës popullata ishte detyruar të shpërngulet nga Kosova për në Maqedoni dhe pjesë të fshatrave të rrethinës së Prishtinës.

“Gjithë aktiviteti i Këshillit të Emergjencës ra poshtë, nuk ka qenë e mundshme për të funksionuar. Ne u detyruam, popullata bashkë me ne, gradualisht të bëjmë plane me u shpërngulë nga Prishtina. Ne aktivistët të shpërngulemi në pjesë të fshatrave, e popullata të shpërngulet në Maqedoni e fshatra të ndryshme. Ashtu u bë dëbimi, dëbimi u bë me dhunë”, ka thënë dëshmitari.

Pas largimit të tij nga Prishtina, ai kishte vazhduar rrugën drejt fshatit Mramor, prej atje, më pas bashkë me Sabit Krasniqin kishin shkuar në Butovc, aty ku edhe ishte takuar me Salih Mustafën.

Ismaili ka deklaruar se nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejt me Mustafën.

“Kemi shkuar dhe jemi stabilizuar te shtëpia e Mustafë Sopit, kemi filluar ta bëjmë organizimin për ndihma humanitare”, kishte thënë dëshmitari.

Më pas, detyra e Ismailit ishte të pozicionohej në një rrugë e cila frekuentohej nga forcat serbe dhe të mbante të informuar pjesën tjetër të grupit.

Teksa e përshkruan veshjen e Mustafës si jo të veçantë, me jelek gjuetie e rroba të tjera civile, Ismaili ka thënë se nuk kishte dalluar ndonjë emblemë në rrobat e Mustafës.

Ndryshe, Jakup Ismaili, është dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës, i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020, me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis një prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, ku u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, ai është deklaruar i pafajshëm.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika