Sot është raportuar në media se ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndodhur një përleshje fizike mes dy zyrtarëve.
Rreth këtij raportimi, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në konferencën për media, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka deklaruar se faktet janë duke u kontrolluar dhe se Policia e Kosovës po kryen pjesën e saj, ndërsa informata të tjera tha se ende nuk ka.
“Informatat jemi duke i marrë, faktet duke i kontrolluar. Besoj që edhe policia po e kryen pjesën e saj të punës që është shumë e rëndësishme në këto raste. Nuk mundem me dhënë më shumë informata, sepse dhe unë jam duke i marrë ato informata në çdo minutë e çdo orë që po kalon tashmë”, ka thënë Çeku.
Sipas tij, dhuna apo sulmi fizik janë të papranueshme dhe të dënueshme e sidomos brenda institucioneve të shtetit.
Çeku, ka theksuar se në momentin që ka informata të sakta se çfarë ka ndodhur do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.