(E përditësuar) Dy persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një lokal në sheshin “Mujë Krasniqi” në Klinë, të martën rreth orës 17:00.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale për Pejë, Fadil Gashi, ka konfirmuar për Dukagjinin se njëri nga viktimat ka ndërruar jetë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Personi tjetër, i cili ishte plagosur rëndë, sipas Gashit është dërguar fillimisht në spital, por më pas ka ndërruar jetë.
Policia ka arrestuar një person lidhur me rastin dhe në vendngjarje janë të pranishëm dy prokurorë të krimeve të rënda, të cilët po kryejnë hetimet e nevojshme për rastin.
Ndërkaq, sipas policisë, viktimat dhe i dyshuari i arrestuar janë të moshës së re deri në 22 vjeç, por ende nuk janë bërë të ditur motivet e rastit.
“Sipas informacioneve mosha e viktimave por edhe të dyshuarit është jashtëzakonisht e re, domethënë 19-vjeçar, 20- 21-vjeçar, dhe 22-vjeçar. Ende nuk dihen motivet. Tani për tani informatat që kemi bëhet fjalë për katër ose pesë të shtëna”, ka thënë Policia nga vendi i ngjarjes.
Sipas gazetarit të Dukagjinit, Unitet Berisha i cili po qëndron në vendin e ngjarjes, viktimat janë familjarë mes vete dhe i takojnë moshës rreth 20-vjeçare.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, në TV Dukagjini, për Debat Plus, ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e dyfishtë, duke thënë se i dyshuari është arrestuar pasi ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Nikçi ka bërë të ditur se i dyshuari tashmë është duke u intervistuar në polici, ndërsa, sipas tij, viktimat kanë lidhje familjare por ende nuk dihet se çfarë janë mes vete.
Po ashtu, ai ka njoftuar se do të bëhet kërkesa për paraburgim ndaj të dyshuarit.