Ish-gjenerali serb e pranon përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë

Radisllav Kërstiq

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, të cilin gjykata e Hagës e dënoi me 35 vjet burg dy dekada më parë për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, e ka pranuar përgjegjësinë dhe ka shprehur pendesë për pjesëmarrjen e tij në gjenocid.

Kërstiq, në një letër drejtuar gjykatës ku kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu, shkroi se do të kishte votuar për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën.

“Nuk kam të drejtë vote, sepse në këtë Rezolutë përmendet emri im pasi kam kryer një vepër penale të papërfytyrueshme dhe të pafalshme”, ka shkruar Kërstiq në letrën drejtuar kryetares së gjykatës.

Ai ka shkruar gjithashtu se, nëse i jepet mundësia, do të shkonte në Potoçar për t’i “nderuar” viktimat e gjenocidit.

Në qershor të vitit 2024, mbrojtja e Radisllav Kërstiqit paraqiti kërkesë për lirimin e tij të parakohshëm në Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës), duke bashkëngjitur letrën e shkruar nga vetë Kërstiq, ku ai kërkon që ajo të bëhet publike.

Kjo letër u shpërnda për media më 13 nëntor nga Mekanizmi në Hagë.

Qendra Memoriale në Potoçari pret që ish-gjenerali Kërstiq, pasi pranoi përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë, të ndajë me Prokurorinë gjithçka që di për krimet e luftës, tha për Radio Evropa e Lirë Allmasa Sallihoviq, zëdhënëse e kësaj qendre ku janë varrosur viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Ajo, duke komentuar deklaratën e Kërstiqit, tha se Qendra Memoriale “përshëndet pranimin e përgjegjësisë”.

Nura Begoviq, e cila në gjenocidin e Srebrenicës humbi 19 anëtarë të familjes, tha për Radio Evropa e Lirë se ” Kërstiq sigurisht nuk e bën këtë nga zemra, por vetëm për siguruar falje”.

“Ai do të vinte në Potoçari, është e rëndësishme që e tha këtë, por me siguri familjet nuk do të dëshironin të takoheshin me të”, tha Begoviq.

Rasti i Kërstiqit

Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës më 2004 e dënoi përfundimisht me 35 vjet burgim ish-komandantin e Korpusit të Drinës së Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, duke e shpallur fajtor për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, përndjekje dhe vrasje të boshnjakëve të Srebrenicës në korrik të vitit 1995.

Ky ishte vendimi i parë përfundimtar me të cilin Tribunali i Hagës konstatoi se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë. Ky vendim ia uli dënimin prej 45 vjet burgim Kërstiqit, të cilin ia kishte shqiptuar në vitin 2001 Dhoma e Shkallës së Parë të Tribunalit.

Me vendimin e shkallës së parë, Kërstiq ishte dënuar për kryerje të gjenocidit, por Dhoma e Apelit ndryshoi atë pjesë të vendimit.

Kërstiq në letrën drejtuar kryetares së gjykatës deklaroi se pranon vendimet e Tribunalit të vitit 2001 dhe 2004.

Ai konfirmoi se dinte që “disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kishin për qëllim të kryenin gjenocid”, por se ai shtab “nuk kishte forca të mjaftueshme për të kryer ekzekutimet” pa “përdorimin e Korpusit të Drinës”, të cilin Kërstiq e komandonte asokohe.

“E dija që përdorimi i forcave nën komandën time do të kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme në ekzekutimin e të burgosurve boshnjakë”, ka shkruar Kërstiq në letër.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se ka ndihmuar dhe mbështetur krimin kundër njerëzimit duke marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për zhvendosjen me dhunë të civilëve boshnjakë nga Potoçari, prej 10 deri më 13 korrik 1995.

“Kam marrë pjesë në krijimin e një krize humanitare që i parapriu zhvendosjes së detyruar të grave, fëmijëve dhe të moshuarve nga Srebrenica, në të cilën gjithashtu kam marrë pjesë, duke ditur që civilët në Potoçari ishin të ekspozuar ndaj vrasjeve, përdhunimeve, rrahjeve dhe abuzimeve”, ka shkruar Kërstiq.

Ai shtoi se gjenocidin në Srebrenicë e kryen individë dhe se për veprat dhe krimet e tyre duhet të përgjigjen, duke shtuar se “fatkeqësisht edhe unë jam një nga ata”.

Kërstiq ka deklaruar gjithashtu se po i drejtohet me letër publikut në ish-Jugosllavi.

“Do të doja që fjalët e mia t’i lexojnë dhe kuptojnë të rinjtë që sot jetojnë në hapësirat ku dikur ishte një vend që quhej Jugosllavi (…), të ndalojnë dhe të mendojnë – kurrë më. Kurrë më luftë, kurrë më vdekje për shkak të fesë, kombit ose bindjeve të ndryshme, kurrë më gjenocid”, ka shkruar Kërstiq.

Radisllav Kërstiq u arrestua nga forcat ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë më 2 dhjetor 1998. Pas vendimit përfundimtar, ai u dërgua në Britani të Madhe në vitin 2004 për të vuajtur dënimin.

Në një burg britanik, ai u sulmua dhe u plagos nga të burgosur të tjerë, për çka më 2013 u transferua në Poloni.

Pasi vuajti dy të tretat e dënimit, autoritetet polake, sipas ligjit të atjeshëm, nuk kishin mundësi ta mbanin më në burg, prandaj Kërstiq u rikthye në paraburgim në Hagë, ku ndodhet aktualisht.

Gjykata disa herë më parë e ka refuzuar kërkesën e tij për lirimin e parakohshëm për shkak të rëndësisë së krimit për të cilin është dënuar.

Vendimin për kërkesën e re do ta marrë kryetarja e gjykatës Grasiela Gati (Graciela Gatti) Santana.

Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë në korrik 1995 në Srebrenicë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.

Për këto krime, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm./REL

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika