Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, lidhur me edukimin seksual në shkolla, ka theksuar se dokumentet dhe doracakët përkatës nuk janë miratuar gjatë kohës kur ajo ka qenë ministre e Arsimit në kohën e Pandemisë Covid-19.
Në Debat Plus, Bajrami ka deklaruar se këto materiale, të cilat janë kritikuar për përfshirjen e temave delikate, përbëjnë një formë të ndërtimit psikologjik dhe emocional të fëmijëve, që ajo e konsideron si një kopjim të metodave eksperimentale.
Bajrami ka theksuar se, kur ajo ishte ministre, ishte në zhvillim një iniciativë për edukatën seksuale, por që dokumentet përkatëse nuk ishin miratuar në kabinetin e saj.
Sipas saj, ky dokument i publikuar në Debat Plus nuk lidhet me mandatin e saj.
“Ato çfarë ne i kemi parë dje të publikuar tekstet madje kemi hyrë i kemi parë edhe vetë doracakët, unë personalisht jam kundër ndërtimit psikologjik edhe emocional të fëmijëve në moshën që shkruan në doracak. Mendoj që është kopjim i metodave eksperimentale, këto korrikula nuk janë miratuar sa kam qenë ministre e Arsimit, kjo nuk është e vërtet. Në kohën kur kam qenë ministre është marrë iniciativa për t’u bërë.
Ky dokument nuk është miratuar të paktën prej kabinetit tim, edhe unë po të garantoj se sikurse ky dokuemtn të ishte miratuar më ndonjë qeveri tjetër Arbërie Ngavaci qysh është sulmuar në seancë si dhe prej krejt shoqërisë kosovare sepse me të vërtetë ka prekur në një pikë të ndejshme që janë familja dhe fëmijët, nuk do të kishte shanse që të kishe dalur dhe të publikonte fakte. Nuk lidhet me mandatin tim”, ka deklaruar Bajrami.