Njohësit e çështjeve ekonomike në vend po vlerësojnë se buxheti i propozuar nga Qeveria në vlerën e 3.6 miliardë euro për vitin 2025, është më shumë për mbijetesë sesa për zhvillim ekonomik.
Ata kanë thënë se baza kryesore e këtij buxheti është orientuar në mbrojtje dhe siguri dhe në aspektin social dhe jo i orientuar në investimin e krijimit të zonave ekonomike e as në krijimin e investimeve kapitale.
Profesori universitar i ekonomisë, Medain Hashani, ka thënë se buxheti prej 3.6 miliardë eurosh i promovuar nga qeveria nuk është realist, pasi të hyrat reale arrijnë vetëm në 3.3 miliardë euro, duke krijuar një boshllëk prej 300 milionë eurosh, raporton Ekonomia Online.
Hashani kritikoi përqendrimin e buxhetit në projekte të cilat, sipas tij, do të mbeten “fontanë dëshirash” për shkak të mungesës së mjeteve të mjaftueshme dhe planeve konkrete për realizimin e tyre.
“Në bazë të kësaj qeverisje që deri tani ka udhëheqë me Kosovën është një buxhet që nuk është i përcaktuar në asnjë prioritet të zhvillimit ekonomik, ne nuk kemi prioritete të caktuara të cilat mundemi t’i konstatojmë se a do të ketë zhvillim apo nuk do të ketë zhvillim. Arsyeja qëndron se shumica janë duke e promovuar si buxhet prej 3.6 miliardë mirëpo në aspektin e të hyrave janë 3.3 miliardë, pra nuk janë të planifikuara 3.6 miliardë. Të gjitha të hyrat që janë të cilat janë në Ligjin e Buxhetit janë 3.3 miliardë dhe kemi një diferencë prej 300 milionëve që nuk janë të realizueshme”, tha Hashani.
Hashani theksoi se është një listë e projekteve të cilat kanë mbetur ende si “fontanë dëshirash”.
“Nëse hyjmë nga struktura e buxhetit arsyeja pse nuk mund të themi se është zhvillimor kemi një listë të madhe të projekteve të cilat janë të integruara në kuadër të këtij buxheti, mirëpo nëse po e marrim shembull një projekt i cili kushton prej 8 milionë euro në vitin 2025 janë të ndara d.m.th ka hyrë vetëm si kod buxhetor dhe janë hyrë p.sh 500 mijë, ndërsa në vitin 2026 kanë hyrë 3 milionë e gjysmë dhe në vitin 2027, 4 milionë, kështu që për t’u inicuar edhe në bazë të ligjit të prokurimit nuk mund të tenderohet dhe nuk mund të iniciohet pjesa e procedurave të prokurimit pa e pasur zotimin e mjeteve dhe mbi bazën e kësaj ne mund të themi se vetëm është një listë e projekteve të cilat kanë me mbete si ‘fontanë dëshirash’ por nuk kanë me u realizua në bazë të këtij buxheti”, ka thënë ai.
Profesori Hashani vuri theksin te nevoja për politika fiskale më të favorshme dhe stimuj për investitorët e huaj, duke nënvizuar se Kosova duhet të fokusohet në krijimin e zonave ekonomike për të nxitur punësimin dhe zhvillimin.
“Buxheti i ndarë në vitin 2025 është shumë i vogël d.m.th të gjitha pjesët tjera janë të shpërndara të kostos së planifikuar në vitin 2026-2027 prandaj nuk mund të themi se kemi një buxhet zhvillimor, pra është një buxhet i cili në një farë mënyre nuk të jep shpresë edhe është me të vërtetë i parealizueshëm në atë që është planifikuar sepse politikat fiskale të njëjta, mos ndryshimet e politikave tatimore, mos stimulimi i investitorëve të huaj, janë pengesa të cilat munden me shkaktu zhvillim në Kosovë”, tha Hashani.
Sipas tij buxheti do duhej të orientohej në krijimin e investimeve kapitale në ndërtimin e zonave ekonomike.
“Prandaj unë kisha me qenë shumë i lumtur sikur ky buxhet do të kshte orientuar investimin në krijimin e zonave ekonomike, në krijimin e investimeve kapitale në ndërtimin e zonave ekonomike, në krijimin e kushteve dhe ndryshimin e politikave tatimore për investitorë të huaj, sepse të gjitha këto investime të cilat vijnë, krijojnë një zhvillim ekonomik dhe zvogëlojnë papunësinë ku në bazë të raportit të bankës botërore thuhet se 67% e të aftëve për punë janë të papunësuar dhe kjo statistikë është me të vërtetë shqetësuese për qeverinë. Kryesisht ky buxhet i vitit 2025 kam pritur që do të orientohet nga ekonomia, mirëpo po ndodh e kundërta, që buxheti orientohet nga pjesa e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në ministri të tjera në investimet të cilat kanë do të mbesin suficit siç kanë mbetur edhe në vitet paraprake”, tha ai
E ish-kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Safet Gërxhaliu, theksoi se Kosova ka buxhetin më të ulët në rajon, madje edhe më të ulët se Mali i Zi, një vend me 500 mijë banorë.