Pas një periudhe të gjatë përdorimi të mazutit dhe karburanteve të tjera, të cilat shkaktonin ndotje të ajrit dhe ndikime negative në shëndetin e qytetarëve, Spitali Rajonal i Pejës ka hequr përfundimisht lëndën djegëse të mazutit dhe ka kaluar në përdorimin e energjisë solare.
Ky projekt madhor, i cili është realizuar falë një donacioni prej 143 mijë dollarësh nga Rotary Club Peja dhe nga rotarianët e shumtë nga e gjithë bota, është një sukses i vërtetë për qytetin e Pejës dhe një shembull për qëndrueshmërinë mjedisore.
Kompania “Muqa solar”, një lider në fushën e energjisë solare, ka realizuar instalimin e paneleve solare të cilësisë më të lartë, duke siguruar që ato të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe efikase për nevojat energjetike të spitalit.
Në lidhje me finalizimin e këtij projekti drejtori i Spitalit Rajonal të Pejës, Fazli Shala, ka theksuar se ka qenë një sfidë e madhe, por gjithashtu një mundësi për të sjellë një ndikim të madh në mjedisin dhe shëndetin e qytetit.
“Kur filluam të flisnim për këtë projekt, dukej se ishte një qëllim i paarritshëm. Por, pas shumë përpjekjesh dhe mundimesh, jemi këtu sot dhe po e shohim realizimin e këtij projekti të jashtëzakonshëm”, u shpreh Shala.
Ai shtoi gjithashtu se instalimi i paneleve solare nuk është vetëm një hap për përmirësimin e kushteve të punës në spital, por edhe një mundësi për të mbrojtur shëndetin e banorëve të qytetit, duke eliminuar ndotjen e shkaktuar nga djegia e karburanteve fosile.
Sipas tij, përveç benefiteve mjedisore, ky projekt ka sjellë një kursim të madh të energjisë, duke e ndihmuar spitalin të bëhet më efikas dhe më i qëndrueshëm financiarisht.
Shala tha se tashmë, spitali përdor një kapacitet prej 200 kWh energji elektrike, që është energji e pastër solare, duke kontribuar në një të ardhme më të gjelbër dhe më të shëndetshme.
Për rotarianët që kontribuuan në këtë projekt, ky është një moment i jashtëzakonshëm krenarie.
Malcom McGrevy, një nga rotarianët që ka ndihmuar në realizimin e këtij projekti, shprehu kënaqësinë e tij për suksesin e arritur.
“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që projekti ka përfunduar dhe se mundëm të kontribuojmë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shëndetit të komunitetit të Pejës”.
Neshad Asllani nga Rotary Club Peja theksoi se puna e tyre bazohet në besueshmëri.
“Edhe ky projekt, por edhe e gjithë puna jonë duhet të bazohet në besueshmëri. Këtu jemi para një prove të katër kërkesave, e cila është një udhërrëfyes për ne, për klubin Rotary dhe për biznesin që e udhëheqim. Ne duhet të bazohemi në të vërtetën”, u shpreh Asllani.
Edhe rotariani, Steve Jenkins shprehu kënaqësinë e tij pas realizimit të një projekti kaq madhor.
“Për ne ky ka qenë një projekt me të vërtetë i madh sepse ka mundësuar Rotary nga pjesë të ndryshme të botës për t’u bashkuar dhe për të bërë diçka që ka qenë në dobi të mjedisit për të gjithë ne, por edhe për njerëzit nga Peja. Ka përmirësuar perspektivat shëndetësore dhe sigurinë e tyre të ardhshme në zonë gjithashtu. Pra, ne kemi ardhur nga Cardiff Bay, por projekti është mbështetur nga klubet në të gjithë botën në Japoni, Shtetet e Bashkuara, Francë dhe Suedi. Dhe për ne kjo është fantastike sepse do të thotë se është një projekt kaq i fuqishëm dhe i fortë i cili ka tërhequr kudo në botë”, tha ai.
Drejtori i kompanisë “Muqa solar”, Xhevat Muqa, gjithashtu vlerësoi punën e realizuar dhe ndikimin që ka pasur ky projekt në qytet.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur kur i pamë videot se çfarë tymi ka pasur më herët dhe tash jo vetëm unë, por jemi të lumtur si staf, si ‘Muçaj’ kompani, si Rotarian, por mendoj që edhe menaxhmenti i spitalit do të jetë i lumtur…”, tha Muqa.
Ky projekt i suksesshëm në Spitalin Rajonal të Pejës është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përkushtimit të komunitetit për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të pastër.
Spitali i Pejës, tani më ka vendosur një standard të ri për kujdesin shëndetësor dhe menaxhimin e resurseve në Kosovë.