Me propozim të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është votuar udhëzimi administrativ me anë të së cilit pritet të përcaktohet çmimi maksimal i lejuar për derivatet.
Në fjalën e saj, ministrja Rozeta Hajdari, nuk ka përmendur ndonjë shifër se sa do të jetë çmimi maksimal i derivateve.
Sipas Hajdarit, ka mospërputhje mes çmimeve në tregun e Kosovës dhe lëvizjes së çmimeve në tregun botëror, ajo ka bërë të ditur se në lidhje me këtë çështje kanë diskutuar dhe janë informuar nga dogana dhe nga ATK-ja.
“Udhëzimi administrativ bëhet me qëllim që të mbrohet konsumatori dhe konkurrenca për të mënjanuar çrregullimet në treg. Në bazë të të dhënave që posedon MINT-i, të konfirmuara me evidencë nga bizneset nga Dogana dhe ATK-ja, ka mospërshtatje të çmimeve vendore krahasuar me lëvizjet në tregun botëror”, ka thënë ajo.
“Mospërshtatja e çmimeve është një ndër shkaqet kur Qeveria mund të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar, apo të kufizimit të marzhës tregtare. Do të jenë të bazuara në evidencat e Doganës dhe ATK-së. Me këtë udhëzim MINT-i propozon përcaktimin e menjëhershëm të çmimit maksimal të lejuar për derivatet”, ka vijuar ajo.
Aktualisht çmimi i derivateve të naftës në Kosovë shkon deri në 1.9 euro për litër, dhe po ashtu janë paralajmëruar edhe rritje të tjera.