Policia e Kosovës ka arrestuar sot një zyrtar policor dhe një qytetar, pas dyshohet se të njëjtit janë rrahur paraprakisht në një lokal në Ranillug.
Në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) thuhet se hetuesit e IPK janë njoftuar sot(e shtune) nga Policia për një incident që raportohet të ketë ndodhur pas orës 02:30 në një lokal në Ranillug.
“Bazuar në hetimet fillestare dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka ndodhur një rrahje në mes të dy personave (një qytetar dhe një zyrtar policor i angazhuar në nënstacionin policor të Ranillugut dhe i cili ishte jashtë detyrës zyrtare). Që të dy të përfshirët në këtë incident janë arrestuar dhe të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim të IPK-së.
Sipas IPK, me aktvendim të prokurorisë kompetente të dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ndaj dy të dyshuarve është parashtruar kallëzim penal nga IPK-ja.
“Si pjesë e procedurave administrative për zyrtarin e dyshuar IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e tij. Ndërsa, hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet gjithashtu në njoftim.