Lidhja Demokratike e Kosovës pretendoi një ditë më parë se vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, Blerim Pacolli kishte përfituar 100 mijë euro grant nga Ministria e Bujqësisë.
Nga informatat e publikuara nga zyrtari i LDK-së Egzon Pacolli, doli se gjatë verës së këtij viti, grantin fermeri Blerim Pacolli e kishte fituar katër ditë pasi që biznesi i tij ishte regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve.
Kjo nxiti reagime nga akterë të ndryshëm, sidomos nga opozita.
Gjithsesi, pas këtij raportimi dhe kritikave, të shtunën erdhi reagimi i vet Blerim Pacollit, i cili është pronar i kompanisë “Alda Farm Ria sh.p.k”.
Ai pranoi se e ka marrë grantin për shtallë të lopëve qumështore, por tha se vlera financimit të ministrise ishte 63 mijë euro, dhe jo 100 mijë.
Duke akuzuar se po bëhet propagandë me këtë rast, fermeri Pacolli mohoi se motra e tij deputete të ketë ndikuar që ai ta fitoj grantin.
“Unë kam vepruar siç është e përcaktuar me kritere të Ministrisë. Si fermer nuk kam pasur biznes të regjistruar, siç nuk kanë shumica e fermerëve. Të kesh biznes të regjistruar para se të aplikosh për grant nuk (është, v.j,) kriter. Mirëpo, në momentin kur e fiton grantin, duhet patjetër të regjistrohet biznesi pasi që kontrata duhet të bëhet ndërmjet Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë dhe biznesit (personit juridik) e jo fizik”, ka thënë Blerim Pacolli – Alda Farm.
E shkurtër në reagim ka qenë motra e fituesit të grantit, Fitore Pacolli e cila është edhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Ajo derisa ka shpërndarë në Facebook postimin e vëllait të saj, ka paralajmëruar ata që janë marrë me të dhe rastin.
“Të gjithë ju gazetarë e analista “profesional” që keni lakuar emrin tim do të shihemi në gjykatë për shpifjet dhe akuzat pa bazë”, ka thënë Fitore Pacolli – Deputete, LVV.
Televizioni Dukagjini ka tentuar të marr një reagim edhe nga Ministri i Bujqësisë, Faton Peci rreth kësaj situate, por ai të shtunën nuk ka qenë i qasshëm dhe nuk u është përgjigjur mesazheve të Dukagjinit.
Kurse në reagimin e tij një ditë më parë, ministri Peci ka thënë se ai si ministër nuk ndikon e as nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve.
Në mesin e reagimeve, ishte edhe ai i deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka akuzuar Ministrinë e Bujqësisë, se ka refuzuar të mbështesë projektet e “Kooperativës Bujqësore Krusha” të Fahrije Hotit, dhe se ka vendosur të subvencionojë projektin e vëllait të deputetes së LVV-së.