Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, theksoi se periudha pas zgjedhore në SHBA mund të shfrytëzohet nga Rusia për të intensifikuar sulmet dhe aneksuar territore të reja nga Ukraina.
Ajo në një postim në Facebook ka potencuar se, me sjelljen agresive të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Kosova duhet të mbetet vigjilente ndaj mundësive të destabilizimit në veriun e vendit, veçanërisht në periudhën e tranzicionit, para rikthimit të Administratës Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Haradinaj paralajmëroi se Vuçiq mund të përpiqet të ndezë provokime destabilizuese në veri, duke e përdorur këtë periudhë për të krijuar tensione para fushatës zgjedhore në Kosovë.
“Vuçiqi padyshim se është dëshpërimisht në kërkim të një dritareje për të ndezur shkëndija destabilizimi në veri tani para fushatës zgjedhore në Kosovë, prandaj këtë herë ne nuk do të duhej të biem në provokimet e tij”, ka shkruar Haradinaj.
Ajo bëri thirrje që Qeveria e Kosovës të koordinohet ngushtë me institucionet e sigurisë të SHBA-së për të mbajtur veriun të qetë dhe të sigurt deri pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke mos rënë në provokimet e mundshme të Vuçiqit.