Suedia dhe Finlanda u bëjnë thirrje banorëve të bëhen gati për mundësinë e luftës

Kufiri Finlandë-Rusi

Suedia ka nisur t’iu dërgojë banorëve rreth pesë milionë pamflete, duke iu bërë thirrje që të përgatiten për mundësinë e luftës.

Njëjtë edhe shteti fqinj, Finlanda, ka lansuar një faqe të internetit me thirrje të ngjashme.

Si Suedia, ashtu edhe Finlanda, kanë hequr dorë nga neutraliteti që kanë ruajtur për dekada, dhe i janë bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s, pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Prej nisjes së luftës, Stokholmi u ka bërë thirrje vazhdimisht suedezëve që të përgatiten si mendërisht, ashtu edhe në aspektin logjistik për mundësinë e luftës, duke përmendur situatën serioze të sigurisë në afërsi.

Udhëzuesi “Nëse përballemi me krizë apo luftë”, i nisur prej Agjencisë Suedeze të Kontigjencave Civile, përmban informacion se si duhet të përgatiten banorët për emergjenca sikurse lufta, katastrofat natyrore dhe sulmet kibernetike.

Udhëzuesi është një version i përditësuar i pamfletit që Suedia e ka lëshuar pesë herë prej Luftës së Dytë Botërore.

Versioni paraprak, i nisur më 2018, ka qenë i pari që u është dërguar suedezëve prej vitit 1961, periudhë e Luftës së Ftohtë.

“Situata e sigurisë është serioze dhe duhet të forcojmë qëndrueshmërinë për t’u përballur me kriza apo edhe ndonjë luftë”, ka thënë Mikael Frisell nga Agjencia Suedeze e Kontigjencave Civile.

Në udhëzues përmendet edhe se si duhet siguruar edhe ruajtur ushqimi dhe uji.

Agjencia ka thënë se udhëzuesi i përditësuar i vitit 2024 ka në fokus përgatitjen për luftë.

Në dy javët e ardhshme, udhëzuesin pritet ta pranojnë 5.2 milionë shtëpi në Suedi.

Udhëzuesi është përgatitur në gjuhën suedeze dhe në disa gjuhë tjera.

Po të hënën, Qeveria në Finlandë, e cila ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë, e ka lansuar një uebfaqe me informacione për përgatitje të banorëve për kriza të ndryshme.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./Radio Evropa e Lire

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Stane Gashi, nëna e UÇK-së

Nue Gashi dhe heroina, gruaja Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, 3 vajza e 8 djemë. 3 prej djemve luftuan me armë në duar nën...

Të fundit nga rubrika