Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci pas marrjes së granteve nga familjarët e deputetes së pushtetit, Fitore Pacollit, duke thënë se vëllai dhe daja i Pacollit duhet t’ia kthejë paratë buxhetit të shtetit.
Forumi i Rinisë së LDK-së ka dorëzuar kallëzim penal ndaj këtij skandali, derisa kryetari i Forumit, Paris Guri ka thënë është e papranueshme që familjarët e deputetes të marrin grante në vlerë prej 100.000 euro.
“Pas skandalit të zbuluar që Fitore Pacolli, përmes lidhjeve të saja që janë të dukshme me ministrin Peci, ia ka ndarë 100.000 euro vëllait, e dje u zbulua se pos vëllait ia ka ndarë edhe dajës. Kjo e bën jashtëzakonisht shqetësues këtë rast, ku paraja publike po keqpërdoret në mënyrë brutale, e këtë s’bën ta tolerojmë. Gratë e Krushës që bënë një punë të madhe në Kosovë e sakrificë, janë refuzuar për të marrë grantë. Kjo është e papranueshme. Ky rast duhet të hetohet në mënyrë të mirë të mundshme, dikush duhet të japë dorëheqje, e dikush të shkojë në burg. Ka shkelje flagrante të ligjit”, ka thënë ai.
Sipas Gurit, këto raste dëshmojnë ikjen e qytetarëve nga Kosova dhe humbjen e shpresës.
Për këtë rast kanë reaguar ditë më parë edhe ministri Peci e edhe deputetja Pacolli. Peci ka thënë se është bërë fushatë linçuese dhe propagandë nga partitë opozitare, duke shtuar se s’ka pasur ndikim në dhënien e granteve bujqësore.
Pacolli, njëherit kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, ka thënë se do të ushtrojë padi ndaj mediave që kanë publikuar lajmin për grantin.