Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj burrit që vrau gruan e tij në Pejë, me 16 prill të këtij viti. Sipas njoftimit, i pandehuri E.L akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Në komunikatën për media, thuhet se i pandehuri E.L ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, GJ.U, rreth orës 08:00 të mëngjesit, për shkaktë problemeve të vazhdueshme që ka pasur me viktimën.
Në aktakuzën e ngritur thuhet se i pandehuri pas goditjes me armë zjarri në pjesën ballore të kokës, është paraqitur në stacionin policor të Pejës dhe i ka njoftuar zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe dërgoje një patrullë të Policisë”.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.L, me datë 16 prill të vitit 2024, rreth orës 8:00 të mëngjesit, në banesën e tij në Pejë, ka privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij, viktimën Gj.U, për shkak të problemeve të vazhdueshme që i pandehuri kishte pasur me viktimën, duke i ushtruar dhunë psikologjike me herët, kurse, ditën kritike i pandehuri E.L, me armë zjarri ka shtënë një herë në drejtim të viktimës, duke e qëlluar në pjesën ballore të kokës, si pasojë e kësaj të shtënë është shkaktuar vdekja e menjëhershme e viktimës, e me pas i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes dhe paraqitet në Stacionin Policor të Pejës, i njofton zyrtarët policorë, duke ju thënë “e vrava gruan dhe dërgoje një patrullë të Policisë”., thuhet në njoftim.
I dyshuari, bashkëshorti akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
“Prokurori i shtetit, hetimet e kësaj çështje penale i ka zhvilluar në afatin optimal në mënyrë intensive, dhe po ashtu, ka akuzuar të pandehurin edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallën fajtore dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cila i vihen në barrë”, vijon njoftimi.