Osmani ia kthen Kuvendit Ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që ta kthejë në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

Ky vendimi i Osmanit, ku thuhet se parasheh shfuqizimin e Ligjit për Themelimin e Këshillit e ka siguruar edhe Portali Dukagjini.

Në arsyetim, Osmani ka theksuar se Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme, duke arsyetuar se në mungesë të një ligji tjetër në fuqi që e rregullon këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i parregulluar.

Kjo sipas vendimit, rrezikon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë dhe duke krijuar zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme.

Po ashtu, Osmani në vendimin e saj ka përmendur se Ligji në fjalë bie në kundërshtim me nenin 125 (2) dhe nenin 127 (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas Presidentes, mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, krijon vakum juridik.

Si vazhdë e kundërshtimit me Kushtetutën, neni 131 (8), të këtij ligji, Presidentja thekson edhe çështjen e rregullimit me ligj të funksionimit të Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duke thënë se paragrafi 8 i këtij neni shprehimisht përcakton se Këshilli i Sigurisë së Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i vendit, sikur rregullohet me ligj.

Presidentja i ka rikujtuar Kuvendit edhe se në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (KO34/19), Kuvendi obligohet që gjatë nxjerrjes së ligjeve të ketë parasysh frymën e Kushtetutës dhe fushëveprimin e institucioneve kushtetuese.

Osmani në vendimin e saj ka renditur edhe pasojat e zbrazëtirave ligjore në Ligjit për Këshillin e Sigurisë, duke thënë se miratimi i një ligji të ri i cili krijon zbrazëti ligjore pikërisht në një fushë e cila ndërlidhet ekskluzivisht me kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, bie ndesh me standardet dhe praktikën e krijuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në këto rrethana, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të përfshirjes së kapitullit i cili rregullon funksionimin e Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi tani është i obliguar të rishikojë projektligjin dhe të shqyrtojë komentet dhe rekomandimet e Presidentes. Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Pas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, kjo është hera e dytë që Presidentja Osmani përdor të drejtën për të kthyer ligje në Kuvend për rishqyrtim gjatë mandatit të saj si Presidente.

Ndërsa për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Osmani ka theksuar se arsyet që kanë çuar në kthimin e Ligjit te Kuvendi, kanë të bëjnë me nenin 17, paragrafin 4 të Ligjit të miratuar, i cili pamundëson realizimin e qëllimit të synuar të Ligjit në raport me mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit të konsumatorit.

“Kjo sepse i njejti cënon mundësinë e zbatimit të obligimeve kushtetuese të institucioneve në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pasi që kufizon aplikimin e masave të tjera, siç mund të ishte kalimi në paketimin më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.

Arsye tjetër që përmendet është se e njëjta dispozitë e kufizon Qeverinë dhe Ministrinë e Mjedisit që të ndërmarrin masa alternative që mund të lejojnë përdorimin e materialeve më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, siç janë qeset e letrës (eco-friendly) apo materialet tjera të biodegradueshme.

Sipas Presidentes, Ligji bie në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 7 dhe nenin 52 (3) të Kushtetutës dhe në anën tjetër krijon kolizion ligjor me Ligjin përkatës për mbeturina.

Përveç që është në kundërshtim me Kushtetutën, neni 17 (4) i Ligjit të miratuar është në konflikt me legjislacionin ekzistues, konkretisht Ligjin për Mbeturinat, i cili sipas Presidentes përcakton procedurat dhe masat për menaxhimin e ambalazhit dhe paketimit, përfshirë masat për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike.

“Ky ligj, në nenin 11, paragrafin 2 të tij, e ka mandatuar Qeverinë e Republikës së Kosovës me kompetencë për të njerrë akt nënligjor me të cilin përcakton kushtet, procedurat dhe detyrimet për prodhuesit dhe importuesit, duke krijuar mundësinë për të përcaktuar sisteme të tjera për menaxhimin e mbetjeve plastike, përfshirë një sistem të rimbursimit të depozitës”, thuhet në arsyetimin e Presidentes.

Sipas saj, përfshirja e dispozitave të detajuara mbi qeset plastike në një ligj primar, siç është Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, krijon disa kufizime praktike dhe strukturore.

“Ligji primar ka një proces më të gjatë dhe më të komplikuar për ndryshimin dhe plotësim, krahasuar me një udhëzim administrativ. Si rezultat, Ligji përkatës për Mbeturina, ka paraparë mundësinë e nxjerrjes së aktit nënligjor, për të siguruar një mekanizëm të përditësimit të rregullave, sa herë që të jetë e nevojshme”, thuhet më tutje në këtë vendim.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Stane Gashi, nëna e UÇK-së

Nue Gashi dhe heroina, gruaja Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, 3 vajza e 8 djemë. 3 prej djemve luftuan me armë në duar nën...

Të fundit nga rubrika