Qeveria ia hoqi Presidentes kompetencat, Osmani e kthen mbrapa Ligjin për Këshillin e Sigurisë  

Presidentja Vjosa Osmani e ka kthyer mbrapa në Kuvend për rishqyrtim ligjin e miratuar para dy javësh për Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Osmani ka vlerësuar se përmbajtja e tij rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës. Në ligjin e ri, është fshirë dispozita e cila parasheh që gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, kompetenca për kryesimin e Këshillit të Sigurisë kalon nga kryeministri te presidenti. Përveç këtij ligji, Presidentja e ka kthyer për rishqyrtim edhe një ligj tjetër

Presidentja Vjosa Osmani ka ndaluar hyrjen në fuqi të dy ligjeve që Kuvendi i Kosovës i ka miratuar në fund të tetorit.

Duke përdorur të drejtën e vetos, shefja e shtetit i ka thyer për rishqyrtim në legjislativ Ligjin për Këshillin e Sigurisë, si dhe atë për mbrojtjen e konsumatorit.

Në vendimin e datës 18 nëntor, thuhet se përmbajtja aktuale e Ligjit për Këshillin e Sigurisë rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ligji i miratuar nga Kuvendi ka fshirë të gjitha dispozitat e ligjit paraprak, respektivisht Kreun II, me të cilin rregullohet mandati, funksionimi, kompetencat dhe përbërja e Këshillit në gjendje të jashtëzakonshme. Si rrjedhojë e kësaj dhe në mungesë të një ligji në fuqi i cili do të rregullonte këtë fushë, funksionimi i Këshillit të Sigurisë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mbetet krejtësisht i pa rregulluar, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të shtetit tonë”-Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Kreu i dytë i ligjit paraprak i cili në ligjin e ri nuk është përfshirë, përmbante edhe nenin 14.1. Ai specifikonte qartësisht se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, kryesimi i Këshillit të Sigurisë nga kryeministri kalon te presidenti.

Sipas presidentes, ligji bie në kundërshtim me dy nene të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 125 i cili obligon institucionet e Kosovës që të mbrojnë sigurinë publike dhe të drejtat e të gjithëve në Republikën e Kosovës, si dhe paragrafin 3 të nenit 127 i cili obligon Këshillin e Sigurisë që punën ta bashkërendojë ngushtësisht me Presidentin.

Gjithashtu, vendimi specifikon se ligji është në kundërshtim edhe me paragrafin 8 të nenit 131 të Kushtetutës.

“Mospërfshirja e dispozitave që rregullojnë funksionimin e Këshillit gjatë gjendjes së jashtëzakonshme krijon një vakuum juridik i cili ua pamundëson institucioneve të Republikës së Kosovës që janë pjesë e Këshillit për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, sigurisë publike dhe të drejtave të qytetarëve të saj në situatat kur shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Në të njëjtën kohë, ky vakuum e pamundëson edhe vet qëllimin e përcaktuar me Ligjin e miratuar, sepse e pengon ‘bashkërendimin dhe bashkëpunimin institucional në fushën e sigurisë kombëtare’ pikërisht në momentet kur ai është tejet esencial”Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Duke trajtuar pasojat e këtyre zbrazëtirave ligjore, presidentja përmend agresionin e Serbisë në Banjskë të Zveçanit, si dhe tendencat e vazhdueshme destabilizese nga Beogradi, për të arsyetuar nevojën që Kosova të ketë të gatshme bazën ligjore për funksionimin e institucioneve të saj në çdo situatë.

Përveç rreziqeve nga jashtë, Osmani përmend edhe faktorët e brendshëm siç janë fatkeqësitë natyrore.

Ndërkaq Ligji për mbrojtjen e konsumatorit është kthyer mbrapa në Kuvend për shkak se, sipas presidentes, dispozita të caktuara të rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Stane Gashi, nëna e UÇK-së

Nue Gashi dhe heroina, gruaja Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, 3 vajza e 8 djemë. 3 prej djemve luftuan me armë në duar nën...

Të fundit nga rubrika