Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], Arben Gashi, tha se me projektligjin për buxhetin e vitit 2025, mazhoranca po tenton që të bëjnë ndryshime në ligjin për paga dhe ligjin për tatimin në prona të pa luajtshme. Me këtë rast, ai ka thënë se qeveria është duke bërë shkelje Kushtetuese.
Gashi në foltoren e Kuvendit tha se këtë projektligj nuk do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“Ka ndodhur një shkelje procedurale që në vetvete përmban shkelje Kushtetuese. Me ligjin për ndarje buxhetore tentohet që të ndryshohet ligji për pagat për zyrtarët publik dhe ligji për tatimin në prona të pa luajtshme. Këto përbëjnë shkelje Kushtetuese. Këto janë shkelje të rënda dhe sidomos heqje e mundësisë që deputetët të flasin për amandamentin. I bëjmë thirrje presidentes që të garantoj që ligji të kthehet në Kuvend. Këta kanë mbërri që me një ligj tri herë me shkel Kushtetutën”, ka thënë ai.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot do të shqyrtojë në lexim të dytë Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Projektligji për buxhetin e vitit që vjen është miratuar në parim më 11 nëntor. Për të kanë votuar vetëm deputetët e partisë në pushtet.
Gjatë shqyrtimit në parim kryeministri Albin Kurti, ministrat e dikastereve qeveritare e deputetët e Vetëvendosjes kanë lavdëruar buxhetin, projektet që kanë implementuar e ato që planifikojnë, por opozitarët i kanë kritikuan pushtetarët për buxhet jozhvillimor, për mosinvestime kapitale e për manipulim me shifra.