Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka lënë seancën e plenare të Kuvendit dhe punën e saj sot, për tu paraqitur në gjykatore si e akuzuar.
Ndonëse ajo erdhi, Pal Lekaj, Donika Kadaj Bujupi, e Besa Baftiu që janë po ashtu të akuzuar, munguan. Kjo edhe ishte arsyeja që seanca dështoi dhe u shty për 10 shkurt të vitit të ardhshëm, një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë.
“Nuk ka të bëjë asgjë, gjykata i ka punët e veta i kemi ditët e nxanuna…Gjykata i cakton vetë ditët”, ka deklaruar Fatime Dermaku – Gjyqtare.
Haxhiu e të tjerët tash e gati 9 vite përballen me akuzat për armëmbajtje pa leje, ndonëse në 2021 ishin liruar nga akuzat, por rasti u kthye në rigjykim. Ndërkohë që avokati i deputetit Pal Lekaj, tha se viti i ardhshëm mund të sjellë edhe parashkrimin e disa nga rasteve të gazit lotsjellës.
“Kjo vepër penale tashmë është duke shkuar në zbatim të institutit të parashkrimit, në praktikat gjyqësore në të kaluarën i kemi disa vepra të caktuara penale që ndërlidhen me të që janë parashkruar, si avokat e shoh si të ardhme të pashmangshme në raport me klientin tim dhe të tjerët në këtë proces…Sipas të gjitha gjasave do të jetë viti i ardhshëm viti i parshkrimit i rasteve të tilla”, ka deklaruar Dek: Musa Damati – Avokat i Pal Lekajt.
E kritika ndaj sistemit gjyqësor për numër të lartë të parashkrimit të rasteve të tilla ka avokati Yll Zekaj.
“Në çdo rast duhet të ket kujdes sistemi i drejtësisë që nuk guxon që rastet të parashkruhen për shkak të neglizhencës e për shkak të mos efikasitetit të sistemit që të merr një vendim për këtë”, ka deklaruar ai.
Në mars të këtij viti, ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla i është parashkruar vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” që pretendohet se ishte kryer në mars të 2018.