Kryetarja e Listës Guxo, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, i ka kundërshtuar pretendimet se disa deputetë të kësaj partie janë në bisedime për kthim në LDK.
Këto pretendime vijnë nga ish-anëtari i Listës Guxo, Balton Dërguti, i cili në studion e emisionit Debat Plus, të enjten tha se ka gjasa që brenda dy ditësh një pjesë e Listës Guxo të kalojë në LDK.
Dërguti pretendon se deputetët Ekrem Mustafa dhe Burima Meta janë në krahun e Osmanit, dhe po presin t’i bashkohen ish-partisë së Presidentes.
Por për TV Dukagjini, deputeti Mustafa i ka mohuar zërat për një kalim në LDK, duke thënë se nuk ka pasur bisedime deri tash, por nuk e ka mohuar që ka oferta.
Pas kësaj ne kemi kërkuar një qëndrim nga Gërvalla, e cila nuk e ka marrë mundin të shkruaj ndonjë rresht me fjali, por na e ka dërguar një postim të deputetit Meta, i cili apostrofohet si pjesë e grupit të Osmanit.
Gërvalla rrjedhimisht i jep mbështetje kundërshtimit të deputetit Meta, ndaj pretendimeve për kalim në LDK.
“Nuk pe di kto dy dite a i ka llogarite prej dites se djeshme apo prej te sotshmes?! Si do qe te jete, absolutisht nje e pavertete por e mira e kesaj te pavertete eshte qe eshte jeteshkurter! Nje urtesi amerikane thote: sapo te marresh mundin te arsyetohesh, gjysmen e fajit vec e ke pranuar!!!”, ka thënë Burim Meta – Deputet (Lista Guxo).
Në anën tjetër ne kemi kërkuar një reagim edhe nga kryetari tjetër i Listës Guxo, ministri Faton Peci. Përkundër interesimit i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Përgjigje për TV Dukagjin ka dhënë edhe Luan Gacaferi, anëtar i kryesisë së Listës Guxo. Ai thotë se Lista Guxo është e bashkuar, por nuk e përjashton mundësinë që mund të ketë individ të pakënaqur, por që e konsideron normale.