Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se buxheti për vitin e ardhshëm është anti-Kushtetues, pasi me Ligjin e Pagave nuk lejohet të rritet sasia e koeficienteve.
Deputetja e LDK-së ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti po arrin në vitin e katërt dhe “asnjëherë nuk e ka realizuar atë qe e ka planifikuar”.
Është optimiste se qeverisja e ardhshme do të jetë e LDK-së, ndërsa thekson nevojën për një rishikim të buxhetit nën udhëheqjen e partisë së saj.
“Buxheti është thjeshtë planifikim, buxhetin e shoh në termet e realizimit sidomos për këtë Qeveri që tanimë i ka shpenzuar katër buxhete asnjëherë nuk e ka realizuar atë qe e ka planifikuar, andaj ky buxhet e kemi parë që një buxhet tranzitor është thjeshtë për janar edhe shkurt, nuk ka asnjë lloj rëndësie se sa kanë planifikuar ata, sepse në zgjedhjet e 9 shkurtit ka me dal një qeveri e re e cila duhet në javët e para me bë rishikim e saj dhe me reflektuar programi dhe zotimin që kanë dhënë dhe jam e sigurt që do të jetë Qeveria e LDK-së. Buxheti ka një problem, është kundër kushtetues sepse flet për vlerën e koeficientin ndërkohë që me ligjin e pagave nuk lejohet të rritet sasia e koeficienteve me ligj të buxhetin por me ligj të pagave është e caktuar që të ndryshohet vlera montare e koeficientit”, ka thënë Bajrami.
Kritika ka edhe për mospranim nga ana e mazhorancës të asnjë amendamenti të partive opozitare.
“Nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Kosovës që me një nen të ligjit të buxhetit të ndërrohet komplet shtojsat e një ligji tjetër. Ajo çfarë lejohet në nenin 33 të ligjit të pagave është që çdo vit me ligj të buxhetit të caktohet vlera e koeficientit. Nga raporti me amendamentet dhe e rikonfirmon atë që e kemi thënë që sa vite asnjë amendament nga partitë opozitare nuk është pranuar, ka pasur amendamente ky është buxheti i pestë, mos të harrojmë në vitin 2021 kanë qenë dy buxheti ka qenë rishikimi dhe planifikimi për 2022. Është buxheti i pestë që e planifikohet dhe nuk pranohet asnjë amendament i opozitës”, u shpreh Bajrami, teksa shprehet se të vetmin që e kanë pranuar por që nuk është implementuar nga ana e ekzekutivit ka qenë amendamenti i LDK-së për të hyrat vetanake të komunave.
“Njëherë kanë pranuar një amendament të LDK-së të cilën nuk e kanë implementuar, ka qenë për të hyrat vetanake të komunave. Kësaj radhë Komisioni për Buxhet nuk e ka pranuar asnjëherë amendamente të opozitës ka pranuar amendamente të deputetëve të grupit Guxo të cilat e kanë ngritur buxhetin e zyrës së presidentes diku në 2.5 milionë euro. Kanë pranuar amendamente të grupeve të minoriteteve disa amendamente dhe aty kemi lëvizje, nuk është pranuar asnjë amendament i LDK-së, PDK-së, AAK-së, dhe në këto pesë buxhete që kanë planifikuar është e pa precedent sepse nuk kanë gjetur hapësirë që një amendament të opozitës ta implementojnë”, u shpreh ajo.
Ish-ministrja e Financave ka kritika edhe për mungesën e investimeve kapitale. Ka thënë se buxheti i realizuar për investime kapitale është i barabartë me atë të vitit 2018, veçse me shifra të ndryshëm buxhetor.
“Është planifikim nuk është realizim nëse shohim katër vitet e kaluara buxheti për investime kapitale nuk është realizuar, secilin vit prej vitit të parë kur e kemi pasur 800 milionë buxhetin e tash që e kemi rreth 930 milionë buxhetin për investime kapitale asnjëherë nuk është realizuar. Investimet kapitale është jashtëzakonisht i ulët kur vjen fjala tek niveli qendror sepse kemi pasur një realizim të mirë tek komunat. Buxheti për investime kapitale i shpenzuar në vitin 2023, është i barabartë me buxhetin e investimeve kapitale të viti 2018 veçse dallimi është se buxheti ka qenë 1.8 miliardë dhe në 2023 ka qenë 2.8 miliardë. Do të thotë kemi ngelur në nivelin e njëjtë të investimeve kapitale”, u shpreh Bajrami.