Një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pasi një avion i mallrave i kompanisë DHL është rrëzuar afër aeroportit të Vilniusit në Lituani në orët e para të 25 nëntorit.
Avioni, i kompanisë DHL, që operohej nga kontraktori Swiftair, i cili ishte nisur nga Lajpzing, ra mbi një shtëpi, tha një zëdhënës i Qendrës Kombëtare të Lituanisë për Menaxhimin e Krizave. Sipas tij, të gjithë personat brenda shtëpisë kanë shpëtuar.
Zjarrfikësit janë parë duke shuar zjarrin në një ndërtesë rreth 1.3 kilometra në veri të pistës së aeroportit në kryeqytetin e Lituanisë. Në vendngjarje është parë prani e shtuar e autoambulancave dhe disa rrugë kryesore në afërsi të vendit ku u rrëzua avioni janë mbyllur për qarkullim.
Autoritetet ende nuk e kanë bërë të qartë shkakun e rrëzimit të avionit, që ndodhi në orën 05:30, sipas kohës lokale. Temperaturat në aeroport ishin afër ngrirjes, teksa ka pasur re para lindjes së diellit dhe erërat ishin në shpejtësi rreth 30 kilometra në orë.
DHL Group, që ka selinë në Bon të Gjermanisë, ende nuk ka reaguar për këtë rast, raporton Radio Evropa e Lirë.
Avioni i rrëzuar po operohej nga Swiftair, kontraktor me bazë në Madrid.
Fluturakja ishte e llojit Beoing 737 dhe ishte 31 vjet e vjetër.