Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës të Kosovës, Hekuran Nikçi, ka bërë të ditur se deri më tani në vendin e punës kanë ndodhur gjashtë raste të vdekjes.
“Deri më tani janë evidentuar gjashtë raste me fatalitet në vendin e punës. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku kishim 9 raste të vdekjeve, ky numër është ende më i ulët, por dy muajt e fundit kemi vërejtur një rritje të aksidenteve me fatalitet”, ka deklaruar Nikçi.
Sipas tij, sektori i ndërtimtarisë dhe energjetikës vazhdon të kryesojë për nga numri i rasteve fatale.
Inspektimet dyfishohen
Nikçi ka theksuar se Inspektorati i Punës ka dyfishuar numrin e inspektimeve me qëllim parandalimin dhe krijimin e kushteve më të sigurta për punëtorët.
“Inspektorati Qendror i Punës, si organ ekzekutiv në procedurë administrative, mbikëqyr zbatimin e legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Në rastet e aksidenteve, ne u ofrojmë raporte zyrtare policisë dhe prokurorisë për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme”, ka theksuar ai.
Sa i përket kompensimit të familjeve të viktimave, proceset realizohen përmes padive civile në instancat gjyqësore.