Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka kërkuar shkarkimin dhe heqjen e titujve akademikë shkence për profesorët, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati, pasi Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës vendosi që të dy përmes plagjiaturës kanë fituar titujt.
Kjo organizatë nëpërmjet një aksioni simbolik para Fakultetit Filozofik, ka kërkuar shkarkimin e dy profesorëve.
Megjithatë, për shkarkim nuk ka vendosur Këshilli i Etikës (KE).
Të dy profesorët e kanë shfrytëzuar punimin me përmbajtje të plagjiaturës, duke vjedhur nga burime të ndryshme, dhe përmes kësaj vjedhjeje, janë ngritur në pozita më të larta akademike.
ORCA ka kërkuar me urgjencë që Këshilli i Fakultetit Filozofik ta heqë nga roli i senatorit të këtij fakulteti, Bujar Dugollin, raporton Portali D.
“Nuk bën dhe nuk mundet, një plagjiator të jetë përfaqësues i Fakultetit në Senat, organin që merret me çështje akademike, madje edhe me integritetin akademik”, thuhet në njoftimin e tyre.
Pas kësaj, ka reaguar profesori universitar, Bujar Dugolli.
Dugolli e ka kundërshtuar vendimin e Këshillit të Etikës, duke e cilësuar si “joprofesional” dhe të ndikuar nga ORCA dhe Rektori i UP-së.
“Përmes këtij reagimi dua të kundërshtojë vendimin e Këshillit të Etikës, të datës 16.06.2022, si vendim joprofesional, arbitrar, të ndikuar nga ‘’ORCA’’ dhe Rektori i UP-së, të cilët për të realizuar interesat e tyre, për të mbajtur në kontrollë UP-në, po vazhdojnë këtë fushatë, tash e një vit”, ka thënë Dugolli, në rrjetin social Facebook, transmeton Portali D.
Po ashtu, sipas tij ORCA po e vazhdon fushatën e orkestruar për ta penguar në zhvillimin akademik dhe profesional.
“Qe një vit, Organizata ‘’ORCA’’, e inicuar, siç thotë ajo nga një e-mail anonim, po vazhdon fushatën e orkestruar, mbase të mbështetur edhe nga struktura të tjera, për të më penguar mua në zhvillimin akademik dhe profesional dhe për t’i realizuar interesat e tyre me qëllim të kapjes së Universitetit, për të ndalur mendimin ndryshe, në organet vendimmarrëse të UP-së dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre biznesore”, është shprehur Dugolli.
Ai ka thënë se do t’i ndjekë të gjitha procedurat e apelimit dhe nuk do të ndalet në promovimin dhe mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës.
Po ashtu, ORCA ka kërkuar edhe nga Senati i UP-së, si organi më i lartë akademik i institucionit, të mos e aprovojë vendimin e Këshillit të Etikës për masat e lehta që i ka propozuar ndaj Dugollit e Kastratit, por t’i përjashtojë të dy nga universiteti,
“T’i përjashtojë të dy nga universitet, siç ndodh në çdo vend të botës, kur dikujt i vërtetohet plagjiatura. E pakta që mund të bëjnë tash për tash është heqja e titujve akademikë të fituar përmes plagjiaturës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Por, sipas kësaj organizate, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre.
Në vendim thuhet se “profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite. Dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve nuk punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike”.
“Kjo masë ndëshkuese është skandaloze dhe e papranueshme dhe e palogjikshme, e para sepse Këshilli i Etikës përmes kësaj mase, e ka legjitimuar plagjiaturën. Kjo masë i bën thirrje indirekte profesorëve për të plagjiatur ngase pyetja shtrohet, cilit prej profesorëve të universitetit i bëhet vonë nëse nuk mentoron tema të diplomës për dy a tre vite, kur ai/ajo tashmë është rahatuar në pozitën e profesorit/es edhe përmes shkeljeve që ka kryer”.
Më 16 qershor, KE-ja ndëshkoi Dugollin me mohim të përfshirjes në mentorim në ciklin e studimeve master dhe doktoraturë për dy vjet.
Masa vlen vetëm për kandidatët e rinj dhe jo për kandidatët, të cilët tanimë janë në mentorim. Kastratit i është mohuar përfshirja në mentorim në të gjitha nivelet e studimit në Universitetin e Prishtinës për tri vjet.
Këshilli i Etikës ka thënë se fakti i largimit të publikimit nga revista është “fakt i pakontestueshëm se artikulli i botuar nuk i ka përmbushur standardet akademike dhe shkencore për t’u botuar në një revistë me kredibilitet ndërkombëtar”.
ORCA përmes një konference për media para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, më 23 qershor të vitit 2021 kishte akuzuar për plagjiaturë dy profesorët e këtij Universiteti, Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin.
Sipas tyre, autorët kishin marrë tekst nga burime të ndryshme dhe i kanë përdorur si punim të tyre.
Më pas kjo organizatë ka dorëzuar dosje në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës, për të dokumentuar plagjiaturën e Dugollit dhe Kastratit.
Vendimi nga KE për Bujar Dugollin
Vendimi nga KE për Ardian Kastratin