Rreth 5 muaj pasi që u shpall fajtor e u dënua nga Gjykata Speciale në Hagë, Pjetër Shala do të dëgjojë edhe një vendim tjetër nga po kjo gjykatë.
Këtë të premte do të shqiptohet urdhri për kompensimin e viktimave ku pritet të tregohet edhe shuma për 8 viktimat që morën pjesë në procesin gjyqësor të Shalës.
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burgim, në korrik të këtij viti për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme. Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se fillimisht duhet bërë vlerësimi i aseteve që posedon Shala.
“Fillimisht këtë urdhër janë për persona të akuzuar dhe të dënuar, që në rast se të njëjtit kanë mjete të mjaftueshme atëherë gjykata do ti marr ato mjete nga pasuria e personave që janë gjykuar, dhe të njëjtat do ti ndahen viktimave pjesëmarrëse në procedura si në rastin e Salih Mustafës, ashtu edhe në rastin e Pjetër Shalës”, ka thënë Alija.
Ky është urdhri i dytë që shqiptohet në Dhomat e Specializuara për Kosovës, meqë një urdhër i tillë u shqiptua në rastin e Salih Mustafës, ku vlera e zhdëmtimit të viktimave u caktua të jetë 207 mijë euro.
Por, edhe më tutje kërkohet që Kosova të krijoj mekanizma të veçantë për këtë.
“Ka pasur edhe thirrje ndaj qeverisë dhe institucioneve të Kosovës, që të krijojë mekanizma që edhe viktimave ti ofrohet kompensimet ashtu siç i ka parashikuar ligji, pala e dëmtuar pas shpalljes së personit të dënuar ka të drejtë për kompensim për vuajtjet”, ka shtuar Alija.
Pjetër Shala, ka kërkuar që të mos jetë i pranishëm në seancën e së premtes, ose të shtyhet për datë tjetër, por kjo kërkesë është refuzuar nga trupi gjykues.
Mbrojtja e tij e ka apeluar dënimin e Shalës me 18 vjet burgim.