Policia e Kosovës ka arrestuar 20 persona në 14 lokacione në katër qytete të ndryshme të Kosovës të mërkurën, pas hetimeve disamujore të Prokurorisë Speciale. Sipas njoftimit, ata dyshohen për “hyrje të paautorizuar kompjuterike” dhe “mashtrim”.
Policia njoftoi se aksioni është zhvilluar në katër qytete si Prishtinë, Ferizaj, Kaçanik dhe Klinë. Gjatë operacionit janë sekuestruar 120 mijë euro të gatshme, pesë vetura, mjete financiare nëpër banka dhe prona të paluajtshme, 30 kompjuterë, 30 telefona, pajisje memorizuese e dokumente të tjera.
Sipas njoftimit të Policisë, në zbatimin e planit operativ kanë marrë pjesë rreth 120 zyrtarë policorë. Ka pasur edhe zyrtarë gjermanë.
Me urdhër të prokurorit nga Prokuroria Speciale, 10 të dyshuar janë dërguar në mbajtje prej 48 orëve, ndërsa 10 të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.