Dëshmitari Halil Çadraku tha se asnjëherë nuk ka parë në ndonjë shkrim që Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit t’iu referoheshin si “gjeneral”. Sipas tij, kjo dëshmon që tani të akuzuarit nuk kanë pasur aktivitet ushtarak dhe operacional gjatë luftës.
Ai tha se detyra e Thaçit dhe Veselit ishte që të kontaktonin me strukturat ndërkombëtare.
“Që 25 vjet, shtypi kosovar është i mbingarkuar me lloj-lloj shkrimesh si pozitive, si negative. Në asnjë gazetë si të kundërshtarëve e si të tonat, nuk kam lexuar t’i thuhet Hashim Thaçit, ‘Gjeneral Hashim Thaçi’. Në asnjë libër apo gazetë nuk kam parë t’i thuhet ‘Gjeneral Kadri Veseli’. Kjo e dëshmon që ata nuk kishin aktivitet të tyre ushtarak-operacional të tyre gjatë luftës së ’98-99, por kishin më shumë detyra të tyre të kontaktonin me strukturat ndërkombëtare”, tha Çadraku.
Madje, ai theksoi se këto i bazon në ato që ka parë dhe dëgjuar dhe si informacione nuk i ka nga Shtabi i Përgjithshëm.
“Krejt këto i bazoj nga ato që kam parë e dëgjuar, por jo nga kontaktet e mia me Shtabin e Përgjithshëm. Janë të lexuara e të dëgjuara”, tha Çadraku.
Çadraku: Në maj-qershor 1998, Shtabi i Përgjithshëm s’ka mundur që të organizojë strukturat e UÇK-së
Dëshmitari Halil Çadraku tha të mërkurën në Hagë se sa i takon periudhës së majit dhe qershorit 1998, Shtabi i Përgjithshëm nuk ka mundur që të bëjë organizime të strukturës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai këtë deklarim e bëri në gjykimitn ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe.
“Unë mendoj se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka mundur të organizojë të gjitha organizimet nëpër fshatra, nëpër terrene, por gjithmonë ka pasur një njeri. Unë mund ta marr shembull vetëm veten dhe atëherë të nisemi nga kjo që mund të kuptojmë se ndoshta kështu ka mund të ndodhë edhe nëpër vende të tjera”, tha Çadraku.
Ai u pyet se a e din nëse Thaçi dhe Veseli kanë punuar për organizimin e UÇK-së, duke bërë ndërlidhje në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe të tjerëve që ishin jashtë Kosovë gjatë periudhës para luftës. Dëshmitari tha se nuk ka njohuri lidhur me këtë çështje.
Ndërsa, kur u pyet për Ekrem Rexhën dhe Mujë Krasniqin si dhe dyshimet për vrasjen e këtij të fundit, dëshmitari tha se më vonë kishte lexuar diku që Mujë Krasniqi kishte lidhje familjare me Rexhep Selimin.
Çadraku tha se tri herë ka shkuar në Shtabin e Përgjithshëm. Megjithatë, shtoi se nuk ka kontaktuar me ata drejtpërdrejt.
“Unë kam qenë tri herë gjatë luftës në Shtab të Përgjithshëm. Kontaktimet e mia gjithmonë jam munduar që t’i bëj përmes komandës. Nuk më kujtohet që të kem kontaktuar ndonjëherë direkt pa kontaktimin e komandantit përpos ato shkrimet që i kemi lexuar dje”, tha ai.
Dëshmitari u pyet për Hashim Thaçin se a ka qenë anëtar i Shtabi të UÇK-së, por tha se të gjithë personat që përmenden pas lufte lidhur me këtë pjesë, i perceptojnë si pjesë e asaj strukture, por që për asnjërin nuk e di se çfarë pune kanë bërë.
“Nuk e di se çfarë të them. Të gjithë këta shokët që janë përmendur pasluftës, të gjithë i perceptojmë si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm si Azem Sylën, Xhavit Halitin, si Hashim Thaçin, si Rexhep Selimin, si Jakup Krasniqin, si Kadri Veselin. Domethënë, as unë nuk mund të them sot me saktësi se sa anëtarë kishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së apo Shtabi Qendror, i cili ashtu quhej në një kohë. Nuk e di me saktësi të them se a ka qenë, mirëpo në një kohë perceptimi si një luftëtar, të gjithë këta emra i pranoj si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, pavarësisht se çfarë detyre kanë pasur brenda saj”, tha ai
Për Sabit Gecin, dëshmitari Halil Çadraku tha se nuk e di se çfarë roli ka pasur në UÇK.
“Nuk e di se çfarë detyre ka pasur Sabit Geci në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari Çadraku./Betimi për Drejtësi