Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka reaguar pas sulmit me raketa në oborrin e stacionit policor në Zveçan të martën mbrëma.
Në oborr të stacionit policor u hodhën dy granata dore dhe u shkaktuan dëme materiale, por nuk pati të lënduar.
Peci përmes një postimi në “Facebook” shkroi se ky është një akt i papranueshëm dhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë publike.
“Si kryetar i Komunës së Zveçanit, dënoj ashpër aktin e shpërthimit të ndodhur mbrëmë në stacionin policor të Komunës së Zveçanit, i cili u shkaktua nga disa individë të pandërgjegjshëm. Ky është një akt i papranueshëm dhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë publike, që ka tronditur jo vetëm qytetarët tanë, por gjithashtu ka cenuar institucionet e rendit dhe ligjit. Ky veprim kriminal është një sulm ndaj shtetit ligjor dhe nuk do të tolerohet. Si kryetar i Komunës, angazhohem për të siguruar se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë dhe për të mbështetur institucionet e rendit dhe ligjit në çdo hap të hetimeve dhe procedurave ligjore”, ka shkruar Peci në Facebook.