Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën e 27 nëntorit, ka uruar Ditën e Forcës, duke thënë se pjesëtarët e Forcës së Kosovës janë gardianë të paqes.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, Osmani ka theksuar se ushtarët e FSK-së janë mbrojtës të pakompromis të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Po ashtu, ajo ka thënë se heronjve dhe dëshmorëve që hodhën themelet e ushtrisë, u takon lavdia e përjetshme.
“Në Ditën e ushtrisë sonë, nderojmë zemrën dhe shpirtin e mbrojtjes së atdheut – Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ju jeni gardianë të paqes dhe mbrojtës të pakompromis të sovranitetit e integritetit territorial të Kosovës. Heronjve dhe dëshmorëve që hodhën themelet e Ushtrisë sonë, u takon lavdia e përjetshme”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, presidentja Osmani aktualisht është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kolumbi.