Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka pritur në takim Arianit Besiri, kryetar i Komunës së Morbach-ut, në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se Besiri, shqiptar nga Mitrovica, ishte 1-vjeçar kur ai dhe familja e tij u detyruan të largohen nga Kosova dhe gjetën strehim si refugjatë të luftës në Gjermani.
“Tash ai ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach, në landin Rheinland-Pfalz të Gjermanisë në zgjedhjet lokale të mbajtura atje, për më tepër si socialdemokrat. Mërgata jonë tashmë përveçse e integruar mirë në vendet ku banojnë e zhvillojnë veprimtaritë e tyre, po japin edhe një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën shoqërore, politike e ekonomike”, ka shkruar ai në Facebook.
Kryeministri gjithashtu ka thënë se kur e kuptoi që Besiri është në Kosovë, nuk kishte se si mos ta takojë e ta pret në Kryeministri, për ta uruar dhe për ta siguruar për mbështetjen dhe bashkëpunimin.