Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë në seancë private, dëshmitari i 108-të në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar mban kodin W04820 dhe pyetjet për atë i ka filluar prokurori Cezary Mihailzcuk.
Ndryshe, deklaratat e dëshmitarit, së bashku me materialet përcjellëse dhe shënimin përgatitor, u pranuan në prova materiale pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.
Gjithashtu, u vendos që konfidenciale të jenë edhe datat e këtyre deklaratave, me qëllim që të mbrohet dëshmitari.
Ndërsa, prokurori nuk lexoi ndonjë përmbledhje në publik për këtë dëshmitar.
Kujtojmë se meqenëse sot është 28 Nëntori, ish-krerët e UÇK-së, në këtë seancë u paraqitën me kollare me motive kombëtare. Madje, ajo e Selimit mbante emblemën e UÇK-së.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar hetimet ndaj Halil Çadrakut dhe kjo është bërë e ditur sot nga përfaqësuesi i tij, avokati Arianit Koci.
Avokati, të enjten në Hagë kërkoi që ky vendim të bëhet publik meqë publiku e di që tashmë Çadraku ka qenë nën hetime./Betimi për Drejtësi