Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ka theksuar rëndësinë e 28 Nëntorit për popullin shqiptar.
Hamza ka kujtuar kryengritësin e madh shqiptar, Isa Boletinin, krahun e djathtë të Ismail Qemalit, i cili vjen nga Mitrovica. Ai ka kujtuar edhe komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, daljen e parë publike të UÇK-së dhe krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Në këtë ditë të rrënjosur në vetëdijen kombëtare e historike të popullit tonë, i kujtojmë Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, kryengritësin e madh shqiptar nga Mitrovica, i cili i jep edhe më shumë kuptim 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. E kujtojmë komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, që me e nder, heroizëm e sakrificë të pashembullt dhanë jetën e tyre për t’i dhënë jetë lirisë sonë. Daljen e parë publike të UÇK-së, luftën heroike të djemve dhe vajzave tona, ish-krerët e UÇK-së që padrejtësisht po mbahen në Hagë – i kujtojmë dhe nderojmë. Atdhedashuria e tyre, idealizmi i tyre, na frymëzon në rrugën tonë!”, ka thënë Hamza në urimin e tij, në Facebook.
Ai ka theksuar se 28 Nëntori është festë e trefishtë për Kosovën, një datë që lidh të kaluarën heroike me të tashmen, dhe që nderon të gjithë ata që dhanë gjithçka për ta bërë Shqipërinë dhe Kosovën të lirë.
“Nderime për ata që dhanë gjithçka për ta bërë Shqipërinë. Nderime për ata që dhanë gjithçka për ta bërë edhe Kosovën. 28 Nëntori është festë e trefishtë në Kosovë. Gëzuar!”, ka shkruar tutje ai.