Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur mbrëmë sulmi terrorist në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.
Aktualisht, Baki Kelani zëdhënësi i Policisë së Kosovës e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini se është duke u zhvilluar një operacion policor në disa lokacione, e që ndërlidhet me sulmin terrorist në Zubin Potok.
Dukagjini ka raportuar se në vendlokacionet ku janë duke u zhvilluar bastisjen nga ana e Policisë së Kosovës janë gjetur armatim dhe nitroglicerinë.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Ndërkaq, përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë kanë dënuar fuqishëm shpërthimin në Ibër-Lepenc.
Kurti ka thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media, para mesnatës, se përmes sulmit është munduar të rrezikohet furnizimi i Kosovës me ujë dhe me energji elektrike.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që “të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi njoftimet” zyrtare nga organet e vendit, të cilat ka thënë se “janë të angazhuara në menaxhimin e situatës dhe rikuperimin e dëmit”.
Kreu i ekzekutivit ka deklaruar se shpërthimi në Zubin Potok është sulm terrorist, që autoritetet e Kosovës besojnë se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.