Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ndërprerja e seancës ka ndodhur si shkak i mospjesëmarrjes në votim të opozitës.
Në një konferencë për media, Kusari-Lila ka mohuar se ka ndërhyrë te kryeparlamentari Glauk Konjufca për ndërprerjen e seancës plenare, në të cilën duhej të votohej për tërheqjen e parave të Trustit.
“Sot ajo çfarë ndodhi në seancë ishte humbja e kuorumit si rrjedhojë e mos pjesëmarrjes në votim të opozitës. Dhe kjo situatë tashmë për një kohë të gjatë po përsëritet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, nuk ishte mazhoranca ajo që e bllokoi, ishte vetë opozita që refuzoi të jetë aktive në pikat të cilat ishin në agjendë për tu trajtuar sot, sipas dakordimin në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë ajo.
Ajo ka përsëritur qëndrimin kundër tërheqjes së mjeteve të qytetarëve nga Trusti.
Tutje, Kusari-Lila ka thënë se Kuvendi duhet t’i kthehet normalitetit dhe opozita të jetë më serioze me pjesëmarrjen e tyre në organin më të lartë legjislativ.
Më herët të njëjtën ditë, Kryetari i PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pushteti i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, po gjejnë metoda për ta penguar votimin e trustit në Kuvendin e Kosovës.