Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit kishte për qëllim shkaktimin e dëmeve të rënda në infrastrukturën kritike të Kosovës, duke rrezikuar sigurinë kombëtare dhe çrregulluar jetën e qytetarëve.
Në konferencë për media, Kurti ka theksuar se nëse sulmi do të kishte arritur qëllimin e tij, mund të kishte shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për javë të tëra, duke lënë pa energji elektrike më shumë se gjysmën e popullsisë dhe 130 mijë qytetarë të Prishtinës pa ngrohje.
Kurti përmendi gjithashtu se sulmi do të kishte pasur ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin me ujë për mbi 300 mijë qytetarë dhe se dëmet financiare nga nevoja për importin e energjisë dhe ujit do të ishin të konsiderueshme, duke arritur deri në 2.5 milion euro në ditë për energjinë dhe 100 mijë euro për ujë.
“Peshat e pasojave të këtij sulmi po ta arrinin qëllimin do të ishte marramendës. Ky sulm kishte qëllim të shkaktonte dëm të pa riparueshme në infrastrukturën kritike të Kosovës dukë vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe duke çrregulluar jetën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Po ta arrihej qëllimi ky sulm di të shkaktonte potencialisht për javë tëra ndërprerje prodhimit energjisë elektrike nga termocentrali Kosova B duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës së Kosovës dhe pa ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës”, ka theksuar ai.
“Më tej do të kishin ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit në Shkabaj, Drenas Shipol dhe Balincë. Duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajt Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit, e duke rrezikuar furnizimin për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë. Për javë të tëra do të ngeleshim pa energji elektrike, dhe kësisoj do të rrezikoheshin edhe shërbimet tjera kritike që varet nga energjia elektrike si telekomunikimet. Dëmet direkte financiare vetëm nga nevoja për import të furnizimit me energji do të ishin së paku 2.5 milion euro në ditë, dhe 100 mijë euro tjera në ditë për ujë”, ka deklaruar tutje Kurti.
Ai ka potencuar se ky sulm nuk ishte vetëm një kërcënim për furnizimin me ujë dhe energji, por gjithashtu për telekomunikacionet dhe shërbimet e tjera kritike, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit.
“Qëllimi i tyre ishte shkaktimi i dëmit që shumë përtej dhe atij ekonomik, çrregullimi i jetës së shëndeti të qytetarëve dhe rrezikimi i sigurisë sonë kombëtare, pra nuk ka qenë në pyetje vetëm uji, por është rryma, nuk është vetëm rryma por është ngrohja, nuk është vetëm ngrohja por edhe telekomunikimi, qëllim ka qenë që një pjesë e madhe e vendit tonë në dhjetor të ngelet pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pakumunikim”, ka deklaruar Kurti në konference për media pasditen e së dielës.