Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar sulmin terrorist në Zubin Potok, duke theksuar se ngjarja ka pasur si qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike të Kosovës dhe e ka cilësuar atë të papranueshme.
Në një prononcim për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Hovenier është pyetur nëse Serbia qëndron pas këtij sulmi – siç po deklaron Qeveria e Kosovës.
Ai ka thënë se është ende herët për të aluduar se kush janë përgjegjësit e sulmit, por se nuk përjashtohet mundësia për e përfshirjes së ndonjë organizate apo shteti në këtë akt terrorist.
“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen tonë.
Nuk jemi ende në një pikë që të mund të themi se kush është përgjegjës. Por ne gjithashtu nuk mund të përjashtojmë asnjë grup apo shtet nga përgjegjësia në këtë moment. Pasi të përcaktohet se kush është përgjegjës, ne do të punojmë me autoritetet përkatëse për të siguruar që ata të mbahen përgjegjës. Ky është një angazhim nga Shtetet e Bashkuara”, ka deklaruar Hovenier.