Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar, J.V., në lidhje me sulmin terrorist ndaj kanalit të ujit Ibër-Lepenci, që ndodhi 29 nëntor.
Arrestimi i tij ishte bërë mbrëmjen e së dielës, pas hetimeve intensive të zhvilluara nga njësitë hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale.
“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, u sekuestruan armë dhe pajisje, përfshirë granata dore, një pushkë gjahu, municion të shumtë, uniforma ushtarake dhe një kamerë kamufluese.
Këto janë provat dhe materialet e sekuestruara:
- Katër (4) Granata dore
- Një (1) Pushkë Gjuetie
- Mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm
- Dy (2) Karikatorë të armës automatike AK-47
- Një (1) karikatorë i pushkës së gjatë
- Një (1) Radiolidhje
- Një (1) pale dylbi
- Një (1) kamerë kamufluese
- Uniforma ushtarake dhe
- Dokumente të ndryshme
Me urdhër të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Policia e Kosovës njofton se situata në veri mbetet e qetë, por ende e brishtë, dhe apelon për bashkëpunimin e qytetarëve për të parandaluar akte kriminale dhe për të garantuar sigurinë publike.