Bashota thotë se sulmi në Rahovec është bërë nga njësitet lokale pa urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm

 Sokol Bashota tha vendimi për sulmin që kishte ndodhur në Rahovec në korrik të 1998-ës është marrë nga njësitet lokale atje dhe jo nga Shtabi i Përgjithshëm.

Ai të martën në Hagë, në cilësi të dëshmitarit, ka thënë që nuk kishte diskutim në Shtabin e Përgjithshëm lidhur me këtë çështje përpara se të ndodhte ajo.

“Ka qenë një gabim shumë i madh hyrja e atij grupi, por këtë s’kemi mujt me e kontrollu ne. (Pasojën) E kemi parandje për arsye se nuk kemi qenë të përgatitur për me hy në një vend me sulmu ku ka civilë duke banuar aty për shkak të shkallës së rrezikshmërisë së qytetarëve, ne nuk kemi guxuar të marrim një vendim të tillë në vendet urbane. Ky ka qenë gabimi që ata janë futur. Pastaj i ka sjellë pasojat e veta më vonë. Kemi pas humbje të mëdhaja aty dhe thjesht ka qenë një ç’akordim i vet ushtarëve në atë pjesë”, tha Bashota.

Bashota pohoi se rastet si këto kanë dikuar që të vijë Bislim Zyrapi dhe oficerët e tjerë të karrierës që t’i japin kuptim organizimit të UÇK-së dhe ka filluar strukturimi i saj nga njësitet më të vogla e deri tek Shtabi i Përgjithshëm.

Ai tha se edhe pas strukturimit kanë pasur probleme pasi janë përballë me situata të ndryshme, por që vazhdimisht janë angazhuar në këtë drejtim. Gjithashtu shtoi se nuk e di nëse Rexhep Selimi, Hashim Thaçi apo Kadri Veseli kanë shkuar në Rahovec pas sulmit atje.

Në fund të shtatorit 1998 kur ndodhën negociatat me FARK-un, dëshmitari tha se është njoftuar nga Bislim Zyrapi që është arritur një marrëveshje që oficerët e kësaj strukture të hynë nën ombrellën e UÇK-së.

Dëshmitari deklaroi se më ’97-ën ka qenë Shtabi Qendror dhe nuk ka pasur Shtab të Përgjithshëm. Pohoi se ka thënë që nuk ka qenë Shtab i mirëfilltë, por një grup shokësh që dëshironin ta konsolidonin qëllimin e tyre. Gjithashtu, ai tha se nuk ka qenë Kadri Veseli pjesë e atij grupi.

Ndërsa, nuk u dëgjua përgjigja e tij kur u pyet nëse Veseli ka marrë pjesë në ndonjë mbledhje të LPK-së në Zvicër.

Ndërsa, sa i takon drejtorive të UÇK-së, Bashota pohoi se hapat e parë në krijimin e tyre janë marrë në nëntor të ’98-ës.

Para kësaj periudhe, Bashota tha se aty ku ka pasur zona të formuara, ajo pjesë është udhëhequr nga komandantët e tyre.

“Ne si grup nuk kemi mujt sepse ne nuk kemi mujt me u identifiku para tyre”, tha Bashota duke folur për veten dhe personat e tjerë që u bënë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm.

Avokati i Veselit, Rodney Dixon u fokusua tek deklarata e dëshmitarit ku kishte thënë se Bislim Zyrapi shkoi në disa zona të UÇK-së për të pasur takime me udhëheqësit e tyre.

Bashota tha se Zyrapi nuk i raportoi atij personalisht dhe tha se nuk e di nëse i ka raportuar ndokujt nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Nuk e di dhe nuk e di nëse ka pas nevojë për arsye se ende nuk ka qenë Shtabi i formuar në atë kohë. Por, ai kryesisht ka punu me komandantë të zonave, me pika që janë quajt atëherë të grumbulluara të ushtarëve që kanë qenë në zona të ndryshme, kryesisht me ta. Ka marrë evidenca si në armatim, si në numër të ushtarëve. Ka marrë evidenca edhe për emërime që janë ba nëpër zona e këto. Pastaj, në fund në nëntor i ka paraqit të gjitha”, tha Bashota.

Ai tha se mund të jetë që gjatë kësaj kohe të jetë takuar njëherë apo dy me Zyrapin, për arsye se ky i fundit ka lëvizë në tërë territorin e Kosovës ku ka pasur ushtarë të grumbulluar të UÇK-së.

“Mundësia e tij për t’i raportuar dikujt ka qenë shumë e vogël”, tha Bashota tutje.

Më herët, dëshmitari kishte thënë se në periudhën korrik-gusht të 1998-ës kishte shkuar disa herë Kadri Veseli në Shqipëri.

Nuk u dëgjua përgjigja e dëshmitarit kur u pyet se a autorizohej për të shkuar në Shqipëri apo e bënte vetë këtë udhëtim.

“Nuk e di, por e di që sa herë ka ardhë në Kosovë, ka sjellë armatim por naj detyrë specifike të tij nuk e di”, shtoi ai.

Dëshmitari tha se është e vërtetë që shumë persona në atë kohë kalonin kufirin dhe sillnin armë në Kosovë në mënyrë që të përforcoheshin.

Bashota për konferencën e Rambujesë: Mospëlqimi i komandantëve të zonave, do të shkaktonte probleme

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Sokol Bashota, tha të martën në Hagë, se ka pasur hezitime për shkuarjen në Ramubuje, e që një qëndrim të tillë e kishte edhe Adem Demaçi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se nëse marrëveshja do arrihej pa pajtimin e komandantëve të zonave, do të kishte mjaft probleme, raporton Betimi për Drejtësi.

“Gjatë negociatave për shkruaje në Rambuje, ka pas zëra të cilët nuk kanë besuar shumë në këtë konferencë dhe kjo u është transmetuar edhe disa komandantëve të zonave dhe pikërisht për këtë ka shfaq hezitim Adem Demaçi”, tha Bashota.

Ai tha se në dokumentet bazë të marrëveshjes, ka pasur elemente të kontestueshme dhe duke iu referuar atyre dokumenteve, Demaçi ka thënë se nuk ka diçka të mirë nga kjo konferencë dhe nuk do të dalë diçka e favorshme për Kosovën.

Ndërsa, sa i takon komandantëve të zonave, dëshmitari tha se shumë prej tyre kanë qenë kundër, duke përfshirë Rrustem Mustafën dhe Shukri Bujën.

“Nuk e di se sa kanë qenë kundër. Por e di që më duket Remi ka qenë kundër, Shukri Buja më duket ka qenë kundër. Të tjerët nuk më kujtohet, por e di që kanë qenë kundër shkuarjes në Rambuje”, tha ai.

“Ka pas zëra se në qoftë se nënshkruhet një marrëveshje në Rambuje që nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve, komandantët e zonave kanë thënë që ne nuk do ta pranojmë. Prandaj, është dashtë me u pyet. Madje, kujtoj se është marrë një pushim mes Rambujesë dhe Parisit pikërisht për me e marrë qëndrimin dhe opinionin e komandantëve të zonave për këtë çështje”, shtoi Bashota.

I pyetur se çfarë do të ndodhte me marrëveshjen në rast që komandantët e zonave nuk do të pajtoheshin, dëshmitari u përgjigj se mospëlqimi i komandantëve të zonave do të shkaktonte probleme.

“Nuk e di se si kishte me shku puna, por mendoj që do të ishte shumë serioze. Mospëlqimi i komandantëve të zonave do të shkaktonte mjaft probleme”, tha Bashota.

Dëshmitari tha se Adem Demaçi kishte autoritet mbi komandantët e zonave e po ashtu shpesh këta të fundit e kërkonin Demaçi që të ishte prezent në takime.

Të hënën, dëshmitari ka deklaruar se nuk ka qenë i përfshirë në arrestimin e Cen Deskut e Jakup Kastratit dhe as të dy gazetarëve serbë. Për Cen Deskun,  tha se ka qenë më tepër se skandaloze ndalimi i tij. Ndërsa, për Jakup Kastratin ai tha se nuk ka pasur asnjë arsye të vetme edhe për ndalimin e tij.

Ndërsa, për kohën se kur kishte ndodhur shkëmbimi e po ashtu edhe takimi me ndërkombëtarët për këtë çështje, dëshmitari tha se ka marrë udhëzime nga Adem Demaçi dhe asnjëherë nga Hashim Thaçi.

Me kaq mbaroi pyetjet avokati Luka Mishetiq e që vazhdoi me pyetje pastaj mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Rodney Dixon.

Dëshmitarit iu tregua një raport nga MUP-i serb, i cili tregonte për disa dokumente të konfiskuara nga UÇK-ja, e që thoshte se Sokol Bashota kishte mbajtur shënime në një takim të Shtabit të Përgjithshëm më 1998.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk e di nëse ka mbajtur shënime në atë takim dhe nëse shkrimi është i tij.

Sipas avokatit, Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte marë këtë raport kur kishte kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të trgeojë për origjinën dhe mënyrën e gjetjes së këtyre dokumenteve.

“Prova më konkrete lidhur me origjinën, kohën, vendin ose mënyrën e gjetjes së dokumentit nuk janë konstatuar sepse një pjesë e dokumentacionit të MUP-it është shkatërruar gjatë bombardimeve ajrore kundër Serbisë gjatë vitit 1999 dhe për pasojë hollësi lidhur me origjinën e dokumenteve të dhëna më poshtë nuk janë gjetur”, lexoi Dixon.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmitari Bashota përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika