Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, ku bëri akuza ndaj sistemit të drejtësisë, veçanërisht ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk mund të kontrollojë prokurorinë dhe drejtësinë, duke përmendur se çështja e Astrit Deharit nuk është zbardhur ende.
Ai kritikoi faktin se, megjithë ndryshimin e Qeverisë katër vite më parë, emrat kryesorë në Këshillin e Prokurorisë dhe në Gjykatën Kushtetuese janë mbajtur të njëjtë.
Në përgjigje të këtyre deklaratave, KPK dhe ZKPSH e konsideruan këtë si një ndërhyrje të padrejtë në punën e Prokurorisë, duke theksuar se përhapja e informacioneve të pasakta ka për qëllim keqinformimin e publikut dhe minimin e reputacionit të institucioneve të drejtësisë.
Sipas KPK-së dhe ZKPSH-së, kryeministri Kurti po keqinformon publikun në mënyrë të qëllimshëm për rastin e Deharit.
“Deklaratat e Kryeministrit për raste individuale, duke i interpretuar ato në mënyrën e tij dëshirore, pa i ditur faktet dhe duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, thuhet në reagimin e Sistemit Prokurorial.
Ata theksuan se kjo qasje dëmton pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe ndikon negativisht në funksionimin e institucioneve demokratike.
“Një qasje e tillë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
KPK dhe ZKPSH kërkuan nga kryeministri, anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetët që të tregojnë përgjegjshmëri dhe të shmangin sulmet ndaj institucioneve të Prokurorisë, duke theksuar se është e rëndësishme mbështetja e kërkesave buxhetore të sistemit prokurorial për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.